Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka dalë me deklarata të forta në emisionin “Interaktiv” të KTV-së, duke shprehur besim të lartë para zgjedhjeve të parakohshme të 7 qershorit.

Kurti ka thënë se synimi i Lëvizjes Vetëvendosje është të fitojë 60% të votave, duke e cilësuar këtë objektiv të arritshëm bazuar në trendin në rritje të mbështetjes. “Nëse nuk iu doli boll 51.1%, ndoshta iu del boll 60%. Ky është synimi ynë. Nuk kam nevojë për një fitore të re, por duket se opozita ka nevojë për një humbje të re”, ka deklaruar ai.

Kurti ka komentuar edhe incidentin në Skenderaj, duke zbuluar se gjatë fushatës së zgjedhjeve të 9 shkurtit 2025, kryetari i komunës Sami Lushtaku me veturë zyrtare ka tentuar të shkaktojë aksident me eskortën e tij zyrtare. Ai ka thënë se procesi policor për këtë ngjarje është në vazhdim, por Lushtaku nuk është arrestuar.

Sa i përket kandidaturës së Vjosa Osmanit për presidente, Kurti ka qenë i qartë: “Nuk mendoj që president duhet të jetë dikush që dëshiron pushtet, që ka ambicie politike, që ka librezë partie dhe merr pjesë në politikë ditore.”

Kurti ka thënë gjithashtu se beson se zgjedhjet e 7 qershorit do të jenë të fundit për këtë vit, duke shtuar se vendi nuk kishte nevojë për to dhe se kostoja e tyre tejkalon 10 milionë euro.

By Editor

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *