Nga Gëzim Mekuli
Kur një figurë me peshë historike dhe politike si Ramush Haradinaj, ish-komandant i papërsëritshëm i #UÇK-së, ish-kryeministër dhe lider i një partie politike shfaqet publikisht me një bluzë ku shkruhet “#Kosovo” dhe jo “Kosova”, kjo ngre pyetje serioze mbi vëmendjen ndaj detajeve që formësojnë botën tonë publike.
Në epokën e luftës hibride dhe betejave për propagandë, imazhi nuk është sall një fotografi; ajo është tekst, porosi dhe mbi të gjitha, politikë.
Kur #RamushHaradinaj, një njeri që e ka dëshmuar përkushtimin e tij fizik dhe ushtarak ndaj shqiptares/Kosovës paraqitet në rrjetet sociale me një bluzë ku shkruhet “Kosovo”, ai pa dashje (ose nga pakujdesia) bie në kurthën e propagandës serbe.
Pesha e prapashtesës sllave: “O” kundër “A”
Në shikim të parë, për dikë që nuk i kushton rëndësi detajeve retorike, ky lëshim mund të duket si një debat banal linguistik ose thjesht një bluzë sportive e prodhuar diku në Angli, Kinë a Serbi. Por në kontekstin politik, e veçanërisht të Ballkanit dhe historisë sonë të përgjakshme, gjuha është edhe territor.
“Kosova” është emërtimi në trajtën e shquar të gjuhës shqipe, simboli i një shteti që identitetin e tij e buron nga shqiptarët si popull shumicë.
“Kosovo” është e sponzoruzuar nga “spin doctorët” serb për botën diplomatike, politike dhe publicistike, por mbi të gjitha “Kosovo” është emërtimi me prapashtesë sllave/serbe, i përdorur historikisht për të mohuar të drejtën e shqiptarëve të jetojnë në këtë shtet dhe për të asgjësuar karakterin autokton #shqiptar të kësaj toke.
Kur një ish-kryeministër e pranon këtë version serb në përditshmërinë e tij, ai normalizon një emërtim që institucionet tona do duhej ta zëvendësonin me krenari në çdo forum ndërkombëtar.
Çfarë porosie po i dërgohet rinisë shqiptare me këto lëshime?
Rinia e sotme rritet nën presionin e jashtëzakonshëm të rrjeteve sociale, ku imazhet konsumohen shpejt por mbyllen thellë në nëndërgjegje. Kur ata shohin një lider që supozohet të jetë shembull i patriotit dhe “burrit të fortë”, duke mbajtur mbi gjoks një prapashtesë sllave “KOSOVO”, mesazhi që përcillet është se “shqiptarët janë në tokën serbe, në “Stara Serbia”.
Të nderuar lexues,
Nëse elita politike dorëzohet përpara estetikës sipërfaqësore apo mallrave të importuara pa asnjë filtër kombëtar, si mund të kërkojmë nga rinia që të mbrojë me fanatizëm identitetin gjuhësor, kulturor dhe kombëtar.
Të mos harrojmë se përmes tekstit dhe gjuhës ndërtohen identitete dhe realitete të reja. Serbia e moçme qe 200 vjet ka shpenzuar miliona dinarë për të mbajtur gjallë terminologjinë e saj mbi gjeografinë e tokave shqiptare, në këtë rast të Kosovës. Çdo lëshim i yni, çdo “Kosovo” apo çdo emërtim tjetër i pakujdesshëm në gojën apo trupin e politikanëve tanë, është një pikë e fituar për politikën serbe në arenën ndërkombëtare.
Zoti Haradinaj, muskujt dhe përkushtimi ndaj shëndetit fizik janë për t’u vlerësuar, por kombi udhëhiqet edhe me vetëdije kulturore e gjuhësore.
Bluza që mbani veshur nuk është veç pëlhurë; ajo është një deklaratë vizuele. Në Kosovën e pavarur, për të cilën keni derdhur gjak qe 200 vjet, shkronjat, teksti, fotografia kanë, poashtu, peshë kombëtare, mu ashtu sikurse edhe ushtria, ekonomia dhe arsimi.
Kosova është me “A” edhe në anglisht, edhe në gjermanisht, norvegjisht, frangjisht… ashtu siç u shkrua me gjak e me sakrificë qe 200 vjet e këndej.
