Dy kompani private të sigurisë kanë humbur licencat pas incidenteve të dhunshme gjatë protestës kundër ndërtimit të një resorti turistik në Zvërnec.

Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit njoftoi se subjektet “Myrto Security 1.3A” dhe “Major Security” janë konstatuar me shkelje të rënda ligjore dhe administrative, ndaj është vendosur heqja e licencave të tyre.

Sipas Policisë, një punonjës i “Major Security” është arrestuar pasi goditi me grusht një protestues, ndërsa dy persona të tjerë, të cilët nuk rezultonin të licencuar nga kompania, janë proceduar penalisht pasi e tërhoqën me forcë qytetarin e dëmtuar.

Hetimet kanë zbuluar gjithashtu se “Myrto Security 1.3A” nuk kishte zbatuar procedurat e sigurisë dhe kishte lejuar hyrjen e personave të paidentifikuar brenda perimetrit të objektit. Këta persona, sipas Policisë, morën pjesë në aktet e dhunës ndaj protestuesve pa u penguar nga stafi i sigurisë.

Policia ka bërë të ditur se hetimet administrative dhe procedurat për përcaktimin e përgjegjësive do të vazhdojnë deri në zbardhjen e plotë të ngjarjes.

By Editor

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *