Në Shqipëri, një punonjës merr mesatarisht 10.3 mijë euro në vit pagë bruto, ose rreth 860 euro në muaj, sipas të dhënave të publikuara nga INSTAT për vitin 2025. Në këto nivele, Shqipëria renditet e fundit në rajon. Rajonin për pagat bruto e kryesojnë Serbia, Bosnjë Hercegovina, Mali i Zi dhe Maqedonia e Veriut, sipas të dhënave të instituteve statistikore përkatëse.

Nëse bëhet krahasimi me pagat vjetore bruto në Europë, rezulton se pagat e vendeve të Ballkanit në tërësi dhe të Shqipërisë në veçanti janë shumë më të ulëta. Paga vjetore bruto në vendet e Bashkimit Europian është mesatarisht rreth 50 mijë euro, ose pesë herë më e lartë se në Shqipëri.

Gjermania, destinacioni i preferuar i shqiptarëve vitet e fundit, ka një pagë prej 66.7 mijë euro në vit, ose mbi gjashtë herë më shumë se në Shqipëri. Në Itali paga mesatare vjetore bruto arrin në 36.6 mijë euro, ndërsa në Greqi është 26.5 mijë euro.

Diferenca e lartë e pagave është një nga arsyet që po shtyn shumë shqiptarë të emigrojnë. Që nga viti 2021, Bashkimi Europian ka dhënë rreth 72 mijë leje qëndrimi për herë të parë për arsye punësimi për shtetasit shqiptarë, shifër që përfaqëson rreth 13% të të punësuarve në sektorin privat jo-bujqësor, pa llogaritur ata që punojnë në të zezë apo emigrojnë sezonalisht.

Në nivel europian, Zvicra është i vetmi vend ku paga mesatare bruto tejkalon 100 mijë euro në vit. Luksemburgu kryeson mes vendeve të BE-së, ndërsa Sllovakia regjistron pagën më të ulët të BE-së me 19.6 mijë euro. Nëntë vende të BE-së kanë paga mesatare nën 30 mijë euro në vit./Monitor.al

By Editor

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *