Tirana po kalon ditën e katërt nën valën e protestave paqësore kundër ndërtimit në zonën e mbrojtur të Zvërnecit. Sot mbahet tubimi i katërt, ku qytetarët kërkojnë anulimin e projektit si dhe dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama dhe ministrave të kabinetit qeveritar.

Ditën e djeshme bulevardi “Dëshmorët e Kombit” u mbush nga qytetarë që për tre orë me radhë lëshuan thirrje kundër qeverisë. Parrullat nuk kursyen asnjë anë të politikës — “Rama burg, Berisha burg” ishte ndër thirrjet më të dëgjuara.

Ndërkohë, kryeministri Rama ka qenë i qartë dhe i palëkundur. I pyetur në konferencën e djeshme lidhur me ngjarjet në Zvërnec, ai deklaroi: “Investimi nuk ndalon sa kohë unë jam këtu.”

Rama e mbroi projektin duke theksuar se investitorët kanë ndjekur të gjitha procedurat ligjore dhe se bllokimi i transaksioneve është arbitrar. Ai shtoi se e konsideron pozitive hetimin e SPAK-ut mbi origjinën e pronës, por bëri të qartë se kjo nuk do të ndikojë në vijimin e investimit.

Protestuesit nga ana e tyre kërkojnë anulimin e projektit, duke e cilësuar atë si ndërhyrje në një zonë të mbrojtur dhe duke akuzuar qeverinë për favorizim të interesave private në dëm të pronës publike.

By Editor

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *