Profesori amerikan dhe njohësi i çështjeve të Ballkanit, Daniel Serwer, ka deklaruar se presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, po pret një moment të favorshëm gjeopolitik për të avancuar synimet e tij ndaj Kosovës.
“Është e qartë se Serbia, nën udhëheqjen e Vuçiqit, po pret një mundësi gjeopolitike në të cilën mund të marrë të paktën veriun e Kosovës, sepse nuk ka interes për pjesën tjetër të territorit, pasi do të përballej me një luftë guerile që do të ishte shkatërruese për Serbinë”, u shpreh Serwer në një intervistë për A2 CNN.
Eksperti amerikan foli edhe për praninë ushtarake amerikane në Kosovë, duke vlerësuar se në të ardhmen mund të ketë një reduktim të numrit të trupave. Sipas tij, Kosova duhet të përgatitet për këtë skenar dhe të forcojë partneritetet e saj strategjike, duke sugjeruar se Shqipëria, si vend anëtar i NATO-s, mund të luajë një rol më të madh në garantimin e sigurisë së vendit.
Serwer theksoi se prioritet strategjik për Kosovën duhet të mbetet anëtarësimi në NATO dhe në Bashkimin Evropian, pasi integrimi në aleancën veriatlantike do të zgjidhte shumë nga sfidat e sigurisë. Megjithatë, ai paralajmëroi se procesi mund të vështirësohet nga mungesa e një qeverie të qëndrueshme.
“Kosova duhet të lobojë për t’u anëtarësuar në NATO sa më shpejt të jetë e mundur. Por është e vështirë të imagjinohet që NATO të pranojë një anëtar të ri pa një qeveri të qëndrueshme”, përfundoi ai.
