Ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka deklaruar se incizimet e kamerave të sigurisë që lidhen me sulmin ndaj Hysni Mehanit në Skenderaj ishin fshirë fillimisht, por më pas janë rikuperuar nga ekspertët e Forenzikës dhe tashmë ndodhen në duart e Prokurorisë.
Sipas Sveçlës, pajisja DVR, ku ruheshin pamjet, ishte pastruar. Megjithatë, ekspertiza ka arritur t’i rikthejë incizimet, të cilat tashmë po shërbejnë si pjesë e hetimeve për rastin.
Ai pretendoi se nga pamjet e rikuperuara shihet përfshirja e disa personave në incident, përfshirë edhe Sami Lushtakun, i cili më herët ka mohuar akuzat për përfshirje në ngjarje.
Sveçla ngriti dyshime edhe për përpjekje për asgjësimin e provave, duke thënë se duhet të hetohet edhe roli i pronarit të lokalit ku ndodhi incidenti.
Sipas tij, Prokuroria tashmë ka në dispozicion materialin e rikuperuar dhe pritet që hetimet të zbardhin plotësisht rrethanat e ngjarjes së ndodhur më 14 maj në Skenderaj, ku Hysni Mehani dhe Bahri Zabeli mbetën të lënduar pas një sulmi fizik.
