Qeveria shqiptare ka hedhur për konsultim publik një projektligj që parashikon lejimin e blerjes së tokës bujqësore nga shtetas dhe kompani të huaja, duke synuar të tërheqë investime të reja në sektorin e bujqësisë.
Sipas draftit të përgatitur nga Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, në qarkullim mund të vihet një sipërfaqe prej rreth 100 mijë hektarësh tokë bujqësore shtetërore. Qeveria argumenton se ndryshimet do të ndihmojnë në tërheqjen e kapitalit, teknologjisë moderne dhe praktikave bashkëkohore të prodhimit bujqësor.
Projektligji ndryshon kuadrin aktual ligjor, i cili deri më tani u lejonte të huajve vetëm marrjen e tokës me qira afatgjatë. Me rregullat e reja, në kushte të caktuara do të lejohet edhe fitimi i pronësisë mbi tokën bujqësore.
Për të shmangur përqendrimin e tokës në pak duar, drafti vendos kufizime të qarta. Shtetasit dhe subjektet e huaja do të kenë të drejtë të blejnë deri në 2 hektarë brenda një bashkie dhe deri në 30 hektarë në nivel kombëtar.
Përfituesit duhet gjithashtu të kenë status rezidenti të përhershëm në Shqipëri për të paktën pesë vite dhe të provojnë aktivitet bujqësor të dokumentuar për të paktën tre vite.
Nga skema përjashtohen tokat në zonat e mbrojtura, parqet kombëtare, zonat ushtarake dhe pronat që janë pjesë e proceseve të kthimit apo kompensimit.
Megjithatë, nisma ka hapur debat për ndikimin që mund të ketë në tregun e tokës dhe te fermerët vendas. Edhe vetë relacioni shoqërues i projektligjit pranon se ekziston rreziku i përqendrimit të tokës në duart e një numri të kufizuar investitorësh, duke theksuar nevojën për mekanizma të fortë kontrolli dhe mbikëqyrjeje.
Sipas draftit, ligji pritet të hyjë në fuqi pas miratimit, por efektet e tij do të shtrihen shtatë vjet pas anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian.
