Sulmuesi i Kosovës, Vedat Muriqi, është shumë pranë rikthimit te Fenerbahçe. Sipas mediave turke, klubi nga Stambolli ka arritur marrëveshje me Mallorcan për transferimin e bomberit kosovar.
Marrëveshja mes palëve raportohet të jetë mbyllur për 15 milionë euro, shumë që Fenerbahçe do ta shlyejë me këste gjatë tre viteve të ardhshme. Në kontratë është përfshirë edhe një klauzolë që i garanton Mallorcas 10 për qind nga një shitje e mundshme e ardhshme e lojtarit.
Muriqi ka dhënë pëlqimin për transferimin dhe tashmë priten vetëm procedurat formale për zyrtarizimin e marrëveshjes. Ai pritet të udhëtojë drejt Stambollit në ditët në vijim për të kryer vizitat mjekësore dhe për të firmosur kontratën me Fenerbahçen.
Pas paraqitjeve të suksesshme me Mallorcan në La Liga, klubi turk ka vendosur ta rikthejë sulmuesin kosovar, të cilin e konsideron një nga përforcimet kryesore për sezonin e ri.
