Mes protestave masive që prej 11 ditësh kanë mbushur rrugët e Tiranës, kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, ka deklaruar se qeveria nuk do të tërhiqet nga projekti i investimit në Zvërnec.

Nga foltorja e Kuvendit, Balla theksoi se mazhoranca mbetet e vendosur ta çojë përpara projektin, duke argumentuar se Shqipëria nuk mund të humbasë një investim prej 4 miliardë eurosh.

“Shkoni edhe në protestë po deshët, por ne jemi pro investimit dhe investimi do të bëhet. Shqipëria nuk e ka luksin të humbë 4 miliardë euro”, deklaroi ai.

Kreu i grupit socialist konfirmoi gjithashtu se shumica parlamentare do të rrëzojë katër projektligjet e paraqitura nga opozita lidhur me çështjen e Zvërnecit, duke i cilësuar ato si përpjekje për të bllokuar zhvillimin ekonomik të vendit.

Deklaratat e Ballës vijnë në kulmin e një vale protestash që kanë dominuar jetën politike të vendit gjatë ditëve të fundit. Mijëra qytetarë kanë protestuar kundër projektit në Zvërnec, ndërsa kërkesat e tyre janë zgjeruar deri te dorëheqja e kryeministrit Edi Rama dhe largimi i qeverisë.

Qëndrimi i prerë i mazhorancës tregon se përplasja politike dhe qytetare rreth projektit mbetet e hapur, ndërsa debati për Zvërnecin vazhdon të jetë në qendër të vëmendjes publike.

By Editor

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *