NATO ka bërë të ditur se gjatë vitit të ardhshëm do të nisë një reduktim gradual të pranisë së saj ushtarake në Kosovë, duke argumentuar se situata e sigurisë është përmirësuar ndjeshëm dhe institucionet vendore kanë rritur kapacitetet e tyre.

Lajmi u bë publik në 27-vjetorin e hyrjes së forcave të NATO-s në Kosovë dhe nisjes së misionit të KFOR-it. Komandanti i NATO-s për Evropën, gjenerali Alexus Grynkewich, deklaroi se Aleanca mbetet plotësisht e përkushtuar ndaj sigurisë së Kosovës, por kushtet aktuale lejojnë një “optimizim” të pranisë ushtarake në terren.

Sipas njoftimit të komandës së NATO-s në Evropë, situata e sigurisë ka qenë përgjithësisht e qëndrueshme gjatë viteve të fundit, çka ka krijuar mundësi për përshtatjen e numrit të trupave pa cenuar misionin e KFOR-it.

Megjithatë, NATO theksoi se nuk do të lejojë krijimin e asnjë vakumi sigurie në Kosovë dhe se çdo reduktim do të zbatohet gradualisht, në përputhje me zhvillimet në terren dhe vlerësimet e vazhdueshme të sigurisë.

Aleanca kujtoi se pas tensioneve të vitit 2023 në veri të Kosovës, KFOR-i u përforcua me rreth 1 mijë trupa shtesë, duke realizuar një nga rritjet më të mëdha të pranisë ushtarake në më shumë se një dekadë.

Sipas NATO-s, misioni i KFOR-it do të vazhdojë të garantojë një mjedis të sigurt për të gjitha komunitetet në Kosovë dhe lirinë e lëvizjes, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës dhe misionin e Bashkimit Evropian, EULEX.

By Editor

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *