Aktivisti Gent Progni ka publikuar në rrjetet sociale disa mesazhe denoncuese, ku pretendohet se punonjës të administratës publike po përballen me presione për të marrë pjesë në aktivitetin e organizuar sot në Tiranë me rastin e përvjetorit të krijimit të Partisë Socialiste.

Sipas denoncimeve të publikuara, drejtues lokalë në disa qytete po hartojnë lista pjesëmarrësish dhe po kërkojnë mobilizimin e administratës për aktivitetin që pritet të zhvillohet në sheshin “Italia”.

Në një nga mesazhet e publikuara, një qytetar nga Berati pretendon se punonjës të administratës vendore dhe qendrore janë njoftuar të paraqiten në aktivitet, ndërsa refuzimi mund të shoqërohet me pasoja në vendin e punës.

Po ashtu, në një tjetër denoncim të bërë publik nga Progni, një qytetar pretendon se një familjari të tij i është ofruar shpërblim financiar për të marrë pjesë në aktivitet, ofertë që sipas tij është refuzuar.

Aktivisti i ka cilësuar këto pretendime si raste të presionit politik mbi administratën dhe ka kërkuar që institucionet përgjegjëse të verifikojnë denoncimet e bëra publike.

Publikimi i këtyre mesazheve vjen në ditën kur në Tiranë pritet të zhvillohen njëkohësisht aktiviteti i Partisë Socialiste dhe protesta qytetare kundër qeverisë, e cila ka hyrë në ditën e saj të 13-të.

By Editor

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *