Prokurori i Prokurorisë Speciale, Ilir Morina, deklaroi se deri në vitin 2020 askush nuk ishte marrë me hetimin e masakrës së Reçakut. Sipas tij, institucionet e Kosovës nuk trashëguan asnjë rast të hapur nga EULEX-i për këtë krim.
Morina bëri të ditur se hetimet u mbështetën në prova publike, përfshirë video-incizime të publikuara nga RTK dhe RTS, përmes të cilave janë identifikuar persona të dyshuar se kanë marrë pjesë në operacionin e 15 janarit 1999 në Reçak.
Pas gjashtë muajsh hetime, Prokuroria Speciale dhe Policia e Kosovës arrestuan pesë persona të dyshuar për përfshirje në masakrën ku u vranë 42 civilë shqiptarë. Sipas aktakuzës së ngritur në dhjetor 2025, 21 ish-pjesëtarë të forcave ushtarake dhe policore serbe akuzohen për krime lufte kundër popullsisë civile, përfshirë vrasje, dëbime, trajtim çnjerëzor dhe spastrim etnik.
Morina theksoi se drejtësia për Reçakun ka nisur me shumë vonesë, por se hetimet do të vazhdojnë deri në zbardhjen e plotë të përgjegjësive për një nga krimet më të rënda të luftës në Kosovë.

