Deputetja Marjana Koçeku ka reaguar me një mesazh emocional lidhur me ngjarjet që shoqëruan aksionin për shembjen e ndërtimeve pa leje në Theth.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, ajo u ka kërkuar falje banorëve të zonës, duke e cilësuar atë periudhë si një nga momentet më të vështira të jetës së saj.
Koçeku shprehet se përjetoi një tronditje të fortë emocionale nga ajo që ndodhi në Theth, duke deklaruar se kishte qarë më shumë se në momentin kur kishte humbur të atin.
Deputetja premton se në të ardhmen do të përfaqësojë më mirë interesat e banorëve të zonës dhe do të jetë në mbrojtje të Thethit dhe vlerave të tij.
“S’ka me i fye kush ma ato male siç i kanë fye”, shkruan ajo në mesazhin e saj, duke e mbyllur reagimin me një premtim për mbrojtjen e zonës dhe trashëgimisë së saj.

