Konsumatorët shqiptarë kanë konsumin individual për frymë të fuqisë blerëse sa 48% e mesatares së Bashkimit Europian dhe të ardhurat për frymë sa 43% e mesatares së Bashkimit Europian.

Për konsumin sipas fuqisë blerëse, Shqipëria renditet e parafundit në Europë, duke lënë pas Bosnjën, ndërsa për të ardhurat për frymë është në nivele të njëjta me Maqedoninë e Veriut dhe sërish lë pas Bosnjën.

Megjithatë, kur vjen puna për çmimet e ushqimeve, shqiptarët po i paguajnë ato gjithnjë e më shtrenjtë në raport me mesataren e Bashkimit Europian, të matura sipas fuqisë blerëse.

Të dhënat më të fundit të Eurostat, të përpunuara nga Monitor, bëjnë të ditur se çmimet e ushqimeve për herë të parë janë rreth 3% më të shtrenjta se mesatarja e Bashkimit Europian. Çmimet janë rritur me shpejtësi, nga 85% e mesatares së BE-së që ishin në vitin 2022, në 99.6% në vitin 2024, për të kaluar në 102.9% në vitin 2025.

E thënë më thjesht, një shportë ushqimesh që mesatarisht kushton 100 euro në Bashkimin Europian, në Shqipëri kushton rreth 103 euro, e matur sipas fuqisë blerëse, ndërkohë që të ardhurat për frymë të shqiptarëve janë më pak se gjysma e mesatares europiane.

Shqipëria është vendi i vetëm në rajon ku çmimet e ushqimeve kanë kaluar mesataren e BE-së.

Në kontrast, vendet e tjera të rajonit mbeten dukshëm nën mesataren europiane. Serbia renditet e dyta me një indeks prej 96.6, ndërsa Mali i Zi dhe Bosnjë-Hercegovina kanë nivel pothuajse të njëjtë çmimesh, përkatësisht 84.6. Maqedonia e Veriut mbetet vendi më i lirë në rajon me 74.3% të mesatares së BE-së.

Diferenca bëhet edhe më e dukshme kur krahasohet me nivelin e të ardhurave. Ndërsa Shqipëria ka të ardhura për frymë sa 43% e mesatares së Bashkimit Europian dhe konsum individual sa 48% të mesatares së BE-së, çmimet e ushqimeve rezultojnë mbi mesataren europiane.

Kjo nënkupton se familjet shqiptare duhet të shpenzojnë një pjesë shumë më të madhe të buxhetit të tyre për ushqim krahasuar me qytetarët e vendeve më të pasura të Europës.

Teksa qeveria shqiptare ka si ambicie që të fusë Shqipërinë në BE sa më shpejt, duket se vendi po afrohet me Europën në nivel çmimesh shumë më shpejt sesa në nivel të ardhurash. Ky fenomen redukton fuqinë reale blerëse të familjeve dhe është një nga arsyet pse perceptimi i qytetarëve për mirëqenien mbetet dukshëm më negativ sesa sugjerojnë treguesit e rritjes ekonomike.

Ndonëse Shqipëria vijon të jetë ende vendi më bujqësor në Europë, ku bujqësia sjell rreth 15% të ekonomisë, po detyrohemi të konsumojmë produkte të shtrenjta që vijnë nga importi, apo edhe vendase me çmime të larta për shkak të mungesës së konkurrueshmërisë.

Ankesat për çmimet e larta nuk vijnë vetëm nga konsumatorët vendas. Në forume udhëtimi si Reddit, Tripadvisor dhe grupe turistësh që vizitojnë Shqipërinë, një nga komentet më të shpeshta është se supermarketet në Shqipëri janë më të shtrenjta sesa prisnin, madje për disa produkte bazë çmimet krahasohen me ato të vendeve të Europës Perëndimore.

Turistët shpesh vënë në dukje kontrastin mes të ardhurave të ulëta të vendit dhe çmimeve relativisht të larta të ushqimeve në markete.

Në një diskutim të fundit në Reddit, një turist që vizitoi Tiranën u ankua se në supermarketet e mëdha një litër qumësht kushtonte rreth 300 lekë, gjoksi i pulës 1,700 lekë/kg dhe një paketë musli 500 gramë mbi 1,000 lekë, çmime që i konsideroi “çuditërisht të larta” krahasuar me çmimet në restorante dhe bare.

Burimi: Monitor.al

By Editor

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *