Dosja e SPAK ngre dyshimin se trafikantë ndërkombëtarë të kokainës investuan miliona në ndërtim e prona në Shqipëri, me mbështetjen e niveleve të larta politike.

Për herë të parë, dosja e SPAK-ut dhe materialet e ardhura nga autoritetet e huaja bëjnë të mundur që të ilustrohen me foto takimet në ishullin e famshëm të Arubas, duke hedhur dritë mbi një nga dyshimet më të forta të hetimit: ekzistencën e kontakteve mes grupeve shqiptare të trafikut të kokainës dhe niveleve të larta të pushtetit, lidhje që sipas prokurorëve mund të kenë ndihmuar në depërtimin e parave të drogës në sektorët më fitimprurës të ekonomisë shqiptare.

Në vendimin e masës së sigurisë për 20 persona, pjesë të grupit kriminal që furnizonte me kokainë Europën, trafikantët ngrihen mbi nivelin e të fortëve të provincës. Ata shfaqen si struktura të fuqishme transnacionale, me lidhje në Amerikën Latine, porte europiane, laboratorë përpunimi, kompani tregtare fasadë, sisteme pagesash cash, bitcoin dhe hawala, si dhe me miliona euro të gatshme për t’u futur në ekonominë shqiptare përmes ndërtimit.

Sipas dosjes, aktiviteti i tyre shtrihej nga Kolumbia, Ekuadori, Bolivia, Surinami, Paraguaji, Uruguai, Porto-Riko dhe Brazili drejt porteve të Antverpit dhe Roterdamit, përmes kompanive të frutave, mishit, qymyrit dhe sojës. SPAK thotë se kokaina fshihej në kontenierë, përpunohej në magazina në Belgjikë dhe Holandë dhe më pas shpërndahej në disa vende të Bashkimit Europian.

Në dosje thuhet se trafikantët kishin krijuar aleanca me grupe “hollandeze, belge, turke, izraelite, italiane, polake, braziliane, britanike, si dhe kartele të drogës nga Kolumbia, Paraguaji dhe Ekuadori”.

Në një pjesë të dosjes, SPAK përllogarit se vetëm për Luçiano Koçekun, pagesat e kryera në kuadër të këtij aktiviteti arrijnë në vlerën totale prej 12,635,670 euro, 14,192,689 paund, 5,035,000 dollarë dhe 1.5 milion pesos.

Në dosje thuhet se të dhënat konsistojnë në takime të zhvilluara në Majorka, Belgjikë e Aruba, takime të cilat kanë ndodhur në vitet 2018-2021 kryesisht në kuadër të veprimtarisë kriminale të trafikimit të narkotikëve, por edhe për investime në Shqipëri.

Në një tjetër pjesë, dokumenti flet për “kryerjen e veprimeve noteriale mbi blerje të pasurive të paluajtshme, investimin në mënyrë të drejtpërdrejtë ose të fshehur pas subjekteve ndërtuese të njohura në aktivitetin e ndërtimit dhe të cilat përfitojnë lehtësisht leje zhvillimi dhe ndërtimi si investitor strategjik”.

Pikërisht në këtë kontekst marrin rëndësi të veçantë takimet e zhvilluara në Aruba.

Sipas përmbledhjes së dërguar nga autoritetet belge, në janar-shkurt 2019 janë vëzhguar takime ku kanë marrë pjesë disa prej personave nën hetim. Dosja citon: “në ishullin e Arubas (Antilet Holandeze), nga 24 deri më 31 janar 2019, ku morën pjesë ISMAILAJ Arben, MEMETI Elton, RAMA Adrian, SHEHU Artur dhe SHEHAJI Bujar”.

Në të njëjtën pjesë, dosja shton edhe një element politik. Aty thuhet se nga autoritetet belge janë marrë “të dhëna mbi takime të kryera nga ana e tyre me përfaqësues funksionarë të lartë shtetërorë të shtetit shqiptar në Aruba”.

Megjithatë emri i këtij funksionari të lartë nuk del në asnjë fragment të dosjes. Dosja nuk thotë nëse funksionari është pyetur, hetuar apo përjashtuar nga dyshimet.

Në dosje thuhet: “Sipas provave të pjesshme të paraqitura, këto takime duket se kanë të bëjnë me projekte pasurish të paluajtshme në Shqipëri, potencialisht të financuara me fonde të paligjshme, me mbështetjen e autoriteteve politike”.

SPAK thotë se pastrimi i parave kryhej përmes blerjes së pasurive të paluajtshme, fshehjes së pronësisë, copëzimit të pronave, tjetërsimit dhe më pas dhënies së trojeve te subjekte zhvilluese ndërtimi.

Më tej, sqarohet se trojet u jepeshin subjekteve ndërtuese, duke integruar dhe përzier në këtë mënyrë të ardhurat e paligjshme me ato të ligjshme.

SPAK e përmbledh këtë skemë duke thënë se të ardhurat kriminale pastroheshin “nëpërmjet industrisë së ndërtimit në shtetin tonë dhe kryesisht në Tiranë dhe bregdetin jugor të Shqipërisë”.

Si ilustrim i këtij fakti është një komunikim mes Luçiano Koçekut dhe Alfredo Hamzait në SKY ECC. Sipas dosjes, Koçeku i tregon Hamzait një pronë pranë Green Coast dhe diskutohet për leje ndërtimi. Dosja thotë se Hamzai i thotë “merru me lejen (e ndërtimin) dhe pak nga pak do bëhet (ndërtohet) për ta”, ndërsa Koçeku i komunikon se “tashmë e ka marrë lejen dhe se do të ndërtojnë më shumë vila në zonë”.

Burimi: Lapsi.al

By Editor

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *