Grupi i të Gjelbërve në Parlamentin Europian ka përshëndetur miratimin me shumicë të gjerë të amendamentit të tyre për zonën e mbrojtur Vjosë-Nartë, duke e konsideruar atë mesazh të qartë në mbrojtje të mjedisit dhe kundër projekteve që, sipas tyre, rrezikojnë ekosistemet më të ndjeshme të Shqipërisë.
Eurodeputetja italiane Cristina Guarda ka reaguar lidhur me protestat në Shqipëri, ku qytetarë të revoltuar kërkojnë largimin e kryeministrit Edi Rama. Sipas saj, kryeministri po paraqet një version të ndryshëm nga ai që u votua në realitet në Strasburg.
“Neni ynë për zonën e Vjosë-Nartës u miratua me shumicë të madhe, por kryeministri Edi Rama nuk e priti mirë. Si të Gjelbër kemi marrë qëndrim të qartë kundër veprimeve në një nga zonat më të ndjeshme të Shqipërisë, pasojë e një modeli turizmi e zhvillimi që injoron alarmet e komunitetit shkencor dhe kërkesat e shoqërisë civile, duke favorizuar interesat e pakëve. Në raportin vjetor për Shqipërinë, votuar dje në Strasburg, vlerësuam hapat drejt afrimit me Europën, por kjo nuk mjafton. Protestat paqësore të këtyre ditëve tregojnë një vend ku qytetarët bashkohen për të mirën e përbashkët dhe për demokracinë”, deklaroi ajo.
Përfaqësuesit e të Gjelbërve, përmes një video-mesazhi në rrjetet sociale, u shprehën hapur kundër ndërhyrjeve në zonën e Vjosë-Nartës, të cilat i konsiderojnë pjesë të një modeli zhvillimi që shpërfill paralajmërimet e shkencëtarëve, organizatave civile dhe interesin publik.
Guarda theksoi se Shqipëria ka ende sfida të mëdha përpara, lidhur me lirinë e shtypit, korrupsionin, presionin ndaj sistemit të drejtësisë, të drejtat e minoriteteve dhe mbrojtjen e mjedisit, dhe kërkoi që kryeministri Rama të dëgjojë kërkesat e protestuesve.
Sipas të Gjelbërve, protestat e fundit dëshmojnë një shoqëri civile aktive, e mobilizuar për mbrojtjen e territorit dhe të interesit publik, përballë projekteve që favorizojnë interesa private të ngushta në dëm të mjedisit dhe komuniteteve lokale.

