Shqipëria po udhëheq një proces të dhimbshëm demografik që e vendos atë në hartën globale si një nga tre vendet me tkurrjen më të shpejtë të rinisë deri në vitin 2050, sipas të dhënave të fundit të Kombeve të Bashkuara. Shqipëria humbet vitalitetin dy herë më shpejt se Europa dhe rajoni, por pa pasur bazën e tyre ekonomike për t’u mbrojtur.
Studimi i sapopublikuar nga Gëdeshi-King gjeti se emigrimi aktualisht nuk është më përpjekje për mbijetesë ekonomike, por një reagim i mungesës së perspektivës dhe krizës së besimit tek institucionet e vendit.
Sipas dokumentit të Divizionit të Popullsisë në Kombet e Bashkuara, Shqipëria pritet të humbasë pothuajse 43% të grupmoshës 15-24 vjeç nga 2025-2050. Në vitin 2000, vendi numëronte mbi gjysmë milion të rinj (544 mijë), ndërsa në 2050 kjo shifër do të zbresë në vetëm 195 mijë. Në 225 vende të botës, Shqipëria renditet e treta pas Kinës dhe Ukrainës për tkurrjen e rinisë.
Krahasuar globalisht, situata e Shqipërisë është më e rëndë se ajo e Japonisë (28% tkurrje) apo Italisë. Të rinjtë zinin 17.2% të popullsisë në 2000, ranë në 13.6% në 2025, dhe pritet të bien në 11.3% në 2050.
Profesor Ilir Gëdeshi shpjegon se Shqipëria ka kaluar nga emigrim masiv i motivuar nga mbijetesa, drejt një emigrimi selektiv e strukturor që prek kryesisht të rinjtë dhe shtresat e arsimuara. Krahas faktorëve ekonomikë, kanë dalë në pah faktorë arsimorë dhe ndjenja e “mungesës së perspektivës” — pakënaqësi ndaj korrupsionit, mungesë meritokracie e transparence, besim i ulët në institucione.
Në rajon, Kosova pritet të ketë tkurrjen e dytë më të fortë (~40%), pasuar nga Bosnja (35%), Maqedonia e Veriut (34%) dhe Serbia (23%).
Pasojat e parashikuara përfshijnë: thyerjen e skemës së pensioneve, krizë krahu pune në turizëm, bujqësi e teknologji, zbrazje të zonave rurale, rritje të kostove shëndetësore, ulje të investimeve të huaja direkte, dhe ndryshim të Shqipërisë nga vend eksportues në vend importues të punëtorëve të huaj.
Burimi: Monitor.al
