Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, ka njoftuar se do të japë dorëheqjen nga posti i kreut të shtetit brenda javëve të ardhshme, duke i hapur rrugën mbajtjes së zgjedhjeve të parakohshme parlamentare.

“Kjo është ndoshta hera e fundit që po ju drejtohem si President i Republikës. I kam shërbyer vendit tim me besnikëri për 14 vjet. Do të jem president edhe për disa javë, pastaj do të jap dorëheqjen”, deklaroi Vuçiç gjatë një tubimi të Partisë Progresive Serbe në Beograd.

Ai bëri të ditur se lista e partisë për zgjedhjet e ardhshme do të mbajë emrin “Serbia e Bashkuar” dhe se do të angazhohet personalisht në fushatë.

Në fjalimin e tij, Vuçiç akuzoi kundërshtarët politikë dhe faktorë të jashtëm se kanë tentuar të destabilizojnë Serbinë përmes protestave dhe krizës në universitete, ndërsa studentët protestues i cilësoi si të manipuluar nga politika.

Presidenti serb premtoi gjithashtu rritje të reja të pensioneve dhe pranoi se gjatë qeverisjes së tij janë bërë gabime në emërimin e disa zyrtarëve, duke theksuar se ata duhet të largohen.

Duke folur për Kosovën, Vuçiç tha se Serbia nuk do të negociojë për territorin e saj dhe se do të vazhdojë t’i përmbahet Kushtetutës.

Vuçiç u zgjodh president i Serbisë në vitin 2017 dhe u rizgjodh për një mandat të dytë në vitin 2022, i cili normalisht do të përfundonte në vitin 2027. Njoftimi për dorëheqjen vjen pas muajsh protestash të mëdha antiqeveritare që pasuan aksidentin vdekjeprurës në stacionin hekurudhor të Novi Sadit.

By Editor

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *