Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar se sektori i bujqësisë në vend po kalon një fazë modernizimi dhe po bëhet gjithnjë e më konkurrues, falë investimeve, planifikimit afatgjatë dhe mbështetjes institucionale.
Gjatë një aktiviteti në kuadër të fushatës së korrje-shirjeve në Podujevë, Kurti bëri të ditur se këtë vit në Kosovë janë mbjellë mbi 75 mijë hektarë me drithëra të bardha, prej të cilave rreth 72 mijë hektarë janë të mbjella me grurë.
Sipas tij, kushtet klimatike dhe gjendja në terren japin pritshmëri për rendimente mesatare prej 4 deri në 5 tonë grurë për hektar, ndërsa procesi i korrjes pritet të përfundojë deri në fund të korrikut ose në fillim të gushtit në zonat ku mund të ketë reshje.
Kurti u ndal edhe te rezultatet e vitit të kaluar, duke theksuar se në Kosovë u korrën mbi 78 mijë hektarë dhe u arrit një rendiment mesatar prej 4.8 tonësh për hektar, me një prodhim total prej afro 380 mijë tonësh grurë.
Ai tha se këto rezultate tregojnë potencialin e madh të bujqësisë kosovare dhe janë rezultat i punës së fermerëve, por edhe i politikave mbështetëse që synojnë një model më modern të zhvillimit rural.
Sipas Kurtit, skema e subvencioneve për vitin 2026 është ndërtuar për të mbështetur jo vetëm sipërfaqet e mbjella, por edhe prodhimin, cilësinë, fermerët e rinj, fermat e vogla dhe praktikat e qëndrueshme bujqësore.
Ministri në detyrë i Bujqësisë, Armend Muja, deklaroi se këtë vit Kosova mund të arrijë një rekord të ri, me prodhim të grurit që mund të shkojë rreth 400 mijë tonë.
Ai bëri të ditur se rreth 23 mijë fermerë pritet të përfitojnë nga skema mbështetëse për grurin, ndërsa pagesat për hektar do të variojnë nga 460 deri në 600 euro.
Sipas tij, ky rezultat do të ishte niveli më i lartë i prodhimit të grurit i arritur ndonjëherë në Kosovë dhe një tregues i rritjes së kapaciteteve të sektorit bujqësor.
