Deputeti Redi Muçi ka sulmuar mazhorancën gjatë fjalës së tij në Kuvend, duke kritikuar edhe udhëtimin e deputetëve shqiptarë në Strasburg për rezolutën e Parlamentit Europian.
Muçi deklaroi se nuk mund të ketë një marrëveshje apo rezolutë me mazhorancën pa u marrë parasysh kërkesat e protestuesve, të cilët prej 44 ditësh vijojnë protestat kundër qeverisë dhe kërkojnë dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama.
Duke iu referuar vizitës së deputetëve në Strasburg, ai ironizoi qëndrimin e tyre, duke pretenduar se disa prej tyre e shfrytëzuan udhëtimin për aktivitete jashtë qëllimit zyrtar.
“Meqë kolegët nga të dyja palët shkuan në Strasburg për rezolutën, edhe pse disa shkuan të luanin letra, të pinin verë dhe të takoheshin me Fredi Belerin, kërkesa ime është që nuk mund të nënshkruajmë asnjë rezolutë me këtë mazhorancë, për sa kohë nuk merren parasysh kërkesat e protestuesve”, tha Muçi.
Deputeti iu drejtua edhe kreut të grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, duke i kërkuar të mos nënvlerësojë reagimin qytetar.
“Taulant, kujdes, sepse përballë nuk ke më Saliun, por rininë shqiptare. Sot përballë jush është një brez i ri që kërkon ndryshim”, u shpreh Redi Muçi.
Ai e mbylli reagimin e tij me një paralajmërim politik ndaj mazhorancës, duke thënë se presioni qytetar nuk mund të injorohet dhe se koha do të tregojë forcën e këtij reagimi.
