Media italiane RaiNews i ka kushtuar një artikull mbështetjes që këngëtarja shqiptare me famë botërore, Dua Lipa, ka shprehur për protestat qytetare që prej 46 ditësh zhvillohen në Tiranë kundër projektit turistik të lidhur me Ivanka Trump dhe bashkëshortin e saj, Jared Kushner.
Sipas RaiNews, në podkastin Service95 Book Club, gjatë një bisede me shkrimtaren shqiptare Lea Ypi, Dua Lipa u shpreh se ndan shqetësimet e protestuesve për mungesën e transparencës rreth projektit dhe për mënyrën se si janë trajtuar çështjet që lidhen me mbrojtjen e mjedisit.
Këngëtarja e cilësoi mobilizimin qytetar si “frymëzues”, duke theksuar se shqetësimi i saj lidhet me faktin që, sipas saj, qeveria mund të ndryshojë ligjet për të hequr mbrojtjet mjedisore pa zhvilluar konsultime publike.
“Ajo që e gjej vërtet shqetësuese është parimi se qeveria thjesht mund të ndryshojë ligjin për të hequr mbrojtjet mjedisore pa asnjë konsultim publik”, citohet të ketë deklaruar Dua Lipa.
RaiNews kujton se projekti turistik, me një vlerë të vlerësuar prej 4.6 miliardë dollarësh, u prezantua për herë të parë në vitin 2024. Sipas medias italiane, protestat nisën në fund të muajit maj, pasi në zonën ku parashikohet ndërtimi u vendosën gardhe dhe mbërritën buldozerët, ndërsa demonstratat vazhdojnë çdo ditë në Tiranë.
