Kreu i Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), Klodian Braho, deklaroi se hetimet ndaj ish-zëvendëskryeministres Belinda Balluku vijojnë, ndërsa nuk përjashtoi mundësinë e një kërkese të re drejtuar Kuvendit për heqjen e imunitetit dhe lejimin e arrestimit të saj.

Duke raportuar në Komisionin për Nismat Qytetare, Bashkëpunimin dhe Mbikëqyrjen Institucionale, Braho iu përgjigj pyetjeve të deputetit të Partisë Demokratike, Ivi Kaso, lidhur me refuzimin e Kuvendit për të miratuar kërkesën e SPAK për heqjen e imunitetit të Ballukut.

Kaso tha se vetë kërkesa e SPAK tregonte se ekzistonin indicie për rrezikun e ndërhyrjes në hetime, prishjes së provave ose largimit nga vendi, duke pyetur nëse vendimi i Kuvendit kishte dëmtuar procesin penal dhe nëse SPAK do të paraqesë një kërkesë të re.

Në përgjigjen e tij, Braho theksoi se Prokuroria ka qenë e qartë në kërkesën e saj dhe se nuk i takon të komentojë vendimmarrjen e Kuvendit.

“Prokuroria ka qenë e qartë për atë që ka kërkuar. Nuk mund të vlerësoj qëndrimin e Kuvendit për një kërkesë të caktuar. Nuk mund të jap detaje, pasi është një çështje konkrete. Mbase në një moment të mëvonshëm, SPAK, në vijim të hetimeve, mund të ketë një vendimmarrje përkatëse. Nuk mund ta komentoj çështjen. Ajo që është e qartë është se Prokuroria e ka pasqyruar në diskutimet me dyer të mbyllura atë çfarë ka kërkuar dhe është i qartë reagimi i Prokurorisë pas vendimmarrjes së Kuvendit”, deklaroi Braho.

By Editor

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *