Shënim redaksional
Përfaqësuesi i BE- së, Mirosllav Lajçak doli i nervozuar nga takimi me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti. Lajçak deklaroi se takimi me Kurtin kishte qenë i gjatë dhe i vështirë. Rezymeja ishte e qartë: Albin Kurti kishte kundërshtuar sërish propozimin për formimin e Asosacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë, e njohur si Zajednica.
Me t’u larguar nga Kosova, Mirosllav Lajçaku u takua me Aleksandër Vuçiçin në Serbi prej nga tha se formimi i Zajednicës ishte jetik për paqen dhe stabilitetin në rajon. Pra, “ndërmjetësuesi” konsideron jetike përmbushjen e një kërkesë partikulare të Serbisë, por nuk dënjon as të flasë njëkohësisht për rëndësinë e njohjes së Kosovës nga Serbia, e jo më ta cilësojë këtë njohje si diçka jetike.
“Ndërmjetësuesi” evropian, dukshëm është arratisur nga simetria në deklarata dhe qëndrime duke dalë hapur si megafon i interesave të Beogradit.
BE-ja ka ofruar si “ndërmjetësues” të dialogut sllovakun, Mirosllav Lajçak, paçka se Sllovakia nuk e njeh Kosovën si shtet. Qëndrimet e tij në situatat e tensioneve mes Kosovës dhe Serbisë, hapur kanë anuar nga retorika e shfajësimit të Beogradit.
Kur Serbia afronte ushtrinë në kufijtë e Kosovës, Lajçaku fliste për “përgjegjësi të përbashkët”dhe dialog në kushte të barabarta mes agresorit dhe të rrezikuarit.
Çdo qënie e arsyeshme e ka të qartë se Mirosllav Lajçaku nuk është ndërmjetësues, por qartazi palë në anën e Serbisë.
Koherenca e Albin Kurtit në kundërshtimin e Zajednicës, si në opozitë, si në qeverisje e ka nervozuar së tepërmi Beogradin, i cili e sheh Zajednicën si trofeun e fundit që mund të marrë në Kosovën e humbur me luftë në qershorin e 1999-ës
Lajçaku po e trajton si “lajthitje” të Kurtit refuzimin e vasalitetit ndaj ndërkombëtarëve në Kosovë.
Gjykata Speciale, Zajednica dhe 8000 hektarët e Kosovës që iu falën Malit të Zi, u gatuan në “kuzhinën e detyrimeve” ndaj perëndimit. Vetposhtërimi rezonoi si virtyt, gjunjëzimi si mirënjohje.
15-vjetori i pavarësisë së Kosovës po afron. Rezistenca institucionale e Kosovës e ka vendosur shtetin e dytë shqiptar në rajon në një tjetër pozicion negociues me agresorin e saj. Mirosllav Lajçakun po e nervozon mosmiratimi i Kosovës me vetëm një fërshëllimë, siç e do tradita e gjahtarit me zagarin.. Ai po e ndjen veten përditë e më të huaj në Kosovë, e kësisoj, tezat e pansllavizmit i lançon përherë e më shumë nga Beogradi.