Nga Shaban Murati

Eshtë e qartë përse i dogji aq shumë dhe kërceu përpjetë në 14 shkurt zëvendëskryeministri i parë i Serbisë dhe shef i madh i gjitha shërbimeve sekrete serbe, Ivica Daçiç, kur presidentja e Moldavisë, Maia Sandu, në konferencë shtypi në 13 shkurt për situatën e sigurisë në vend, akuzoi si të përfshira bashkë me Rusinë në një përpjekje për grusht shteti, edhe Serbinë, Malin e Zi dhe Bjellorusinë.

Në fjalën e saj të publikuar në faqen zyrtare të presidencës moldave, theksohet tekstualisht:

“Materialet (që dispon shërbimi i fshehtë moldav)  përmbajnë instruksione për shtetas nga Federata Ruse, Bjellorusia, Serba dhe Mali i Zi. Qëllimi është të përmbysin rendin kushtetues, të përmbysn qeverinë e ligjëshme në Kishinau dhe të sjellin një qeveri të paligjëshme, që do ta vinte vendin në dispozicion të Rusisë dhe që Moldavia të përdoret nga Rusia për luftë në Ukrainë”.

Media e mirënjohur “Europa e Lirë” shkruante në 13 shkurt se presidentja e Moldavisë deklaroi që plani i grushtit të shtetit përfshinte diversionistë me trajnim ushtarak dhe me kamuflazh civil dhe instruksione për shtetas nga Serbia, Rusia, Bjellorusia dhe  Mali i Zi, për të hyrë në Moldavi dhe për të zbatuar planin.

Beogradi denoncohet  publikisht nga kryetarja e shtetit moldav si i implikuar me shërbimin e tij sekret në përpjekjet e shërbimit sekret rus për të organiuar një grusht shteti në Moldavi. Është një diskreditim i madh në nivelin më të lartë për Serbinë dhe qeverinë e presidentit Vuçiç dhe të zëvendëskryeministrit të parë Daçiç, që po veprojnë në mënyrë aktive në shërbim të Rusisë në organizimin e trazirave dhe të një grusht shteti në një shtet të tretë.

Shefi i madh i gjitha shërbimeve sekrete serbe Daçiç më kot bëri zhurmë sikur po i kërkonte shpjegime dhe të dhëna presidentes së Moldavisë. Ai e din më mirë se presidentja moldave koordinimin  dhe bashkëpunimin e shërbimeve sekrete serbe me shërbimet sekrete ruse për organizimin i përpjekjeve për operacionin e përbashkët të grushtit të shtetit në Moldavi, sepse ka qenë pikërisht ai dhe presidenti Vuçiç, që kanë dhënë miratimin e qeverisë serbe për angazhimin e shërbimit sekret serb në subversionin rus kundër Moldavisë. Aq në pozitë të vështirë e vuri qeverinë e Serbisë denoncimi i presidentes së Moldavisë, sa që Daçiç, i kapur ngsht nuk dinte si të mbrohej dhe në 14 shkurt doli me argumentin qesharak se legjislacioni serb i ndalon shtetasit e Serbisë të marrin pjesë në konfliktet jashtë kufijve të shtetit.

Është një justifikim infantil, sepse, së pari në Moldavi nuk po zhvillohet ndonjë konflikt i armatosur dhe nuk bëhet fjalë për shtetas serbë që po marrin pjesë në lufte atje, po për operativë dhe diversantë serbë, që kanë shkuar për veprimtari të fshehtë sabotuese dhe veprime ilegale.

Së dyti, presidentja e Moldavisë nuk e akuzoi Serbinë se ka dërguar luftëtarë në luftë, por e akuzoi për përfshirje në  veprimtarinë e shërbimit sekret rus për të destabolizuar vendin dhe për të organizuar grusht shteti.

Përfshirja e sabotatorëve dhe e diversantëve të shërbimit sekret serb dhe rrjedhimisht e qeverisë së Serbisë në operacionet dhe në planet e shërbimit sekret rus për të përmbysur rendin kushtetues me grusht shteti në Moldavi, përbën një zhvillim të ri shumë të rrezikshëm, që duhet të shkaktojë alarme dhe masa preventive në gjithë harkun perëndimor, në BE, në NATO, dhe në gjithë Europën Juglindore e sidomos në Ballkanin Perëndimor ish-jugosllav.

Pritej me siguri që Rusia agresore do të përpiqet të destabilizojë situatat, të ndërhyjë dhe të organizojë grushte shteti në vendet rreth e rrotull Ukrainës së sulmuar nga agresioni ushtarak rus. Eshtë folur qysh në fillim të agresionit rus vazhdimisht, dhe gazeta “Dita” ka qenë ndër të parat, se Rusia do të synojë të hapë vatra dhe fronte të reja trazirash në Europën Juglindore. Kjo i duhej Rusisë për t’u provokuar probleme NATO-s dhe BE-së dhe për të krijuar një rrethanë të re gjeopolitike të favorëshme për të rreth Ukrainës dhe në Europën Juglindore.

Mund të thuhet se priteshin nga institucionet atlantike dhe europiane përpjekje ruse për destabilizim dhe për grusht shteti në Moldavi.

E habitshme dhe shumë alarmuese është pjesëmarrja e Serbisë krah për krah me Rusinë në përgatitjen dhe në organizimin e grushtit të shtetit në Moldavi. Kemi një denoncim të Serbisë nga presidentja e Moldavisë, që tregon se Serbia jo vetëm është ushtare e politikës dhe e strategjisë ruse në rajon,  por po bëhet gjithnjë më e rrezikëshme për shtetet dhe popujt e Europës Juglindore.  Denoncimi i presidentes së Moldavisë ndaj Serbisë është i dobishëm jo vetëm për stabilitetin e vendit të saj, por sidomos është i dobishëm dhe shumë aktual për shtetet e tjera të Europës Juglindore, sepse aktualisht disa zyra diplomatike europiane po insistojnë të përhapin propagandën dhe përshtypjen sikur Serbia dhe presidenti i saj po ndjekin një politikë paqesore.

Realiteti rajonal po dëshmon të kundërtën e këtij pretendimi naiv diplomatik. Serbia nga dita në ditë po bëhet me nxitjen e Moskës gjithnjë e më aktive në aksionet e ndërhyrjes politike dhe subversive për destabilizimin e shteteve të rajonit në shërbim të Kremlinit. Përfshirja e shërbimit sekret serb në operacionet e shërbimit sekret rus në Modavi nuk është as i rastit dhe as i papritur.

Qysh pas agresionit të parë ushtarak rus kundër Ukrainës në 2014 dhe aneksimit të dhunshëm rus të Krimesë, kemi një aktivizim të jashtëzakonshëm të Serbisë në shërbim të Rusisë për të destabilizuar vendet e Europës Juglindore dhe për të shpërthyer vatra trazirash e konfliktesh të brendëshme politike në vendet e rajonit.

Nuk besoj se insitucionet atlantike e kanë harruar se qeveria e Vuçiçit dhe shërbimi sekret serb organizuan direkt bashkë me shërbim sekret ushtarak rus përpjekjen për grusht shteti në Mal të Zi në 16 tetor 2016 për të përmbysur qeverinë e ligjëshme malazeze me qëllim që të ndalohej anëtarësimi i Malit të Zi në Nato. Kryeministri i Serbisë Vuçiç e pranoi atëhere pubikisht se disa shtetas serbë dhe rusë  ishin implikuar në tentativën e grushtitit të shtetit në Podgoricë.

Gjykata e Lartë e Malit të Zi i dënoi operativët e shërbimit sekret serb dhe rus  me afate të ndryshme burgimi. U dënuan edhe shtetas serbë aktivë në politikën malazezë, pjesëmarrës në përpjekjen për grusht shteti. Por me inxhinjeringun elektoral të shërbimit sekret serb në gusht të vitit 2020 sollën në fuqi në Podgoricë qeverinë filoserbe të Krivokapiçit dhe të Abazoviçit, që amnistuan gjithë spiunët e Serbisë dhe të Rusisë, që morën pjesë në grushtin e dështuar të shtetit, dhe sot që drejton qeveria e Abazoviçit ndonjë pjesemarrës serb i grushtit të shtetit guxon të shpallë kandidaturën për zgjedhjet presidenciale të muajit mars në Mal të Zi.

Shërbimi sekret serb u përfshi direkt në përpjekjen për grusht shteti në Maqedoninë e Veriut në prill 2017 në trazirat brenda në parlament, në funksion të operacionit të shërbimit sekret rus per të bllokuar anëtarësimin e Shkupit në NATO.

Dinamika kriminale e përdorimitë të shërbimit sekret serb nga shërbimi sekret rus çon te kjo dëshmi e re e nivelit më të lartë e ditëve të sotme për rrezikun, që përfaqëson Serbia në rajon. Ndaj alarmet dhe reflektimet zyrtare dhe publike duhet të jenë të menjëhershme dhe të mëdha në proporcion të drejtë me këto zhvillime të rrezikëshme. Në 13 shkurt zëdhënësi i Këshillit të Sigurisë Kombëtare të SHBA, Xhon Kirbi, duke komentuar deklaratën e presidentes së Moldavisë, theksoi se raportet që presidenti i Rusisë, V.Putin, po akuzohet për organizimin e një grushti shteti në Moldavi, janë thellësisht shqetësuese.

Alarm i madh duhej të ishte shkaktuar në BE, ku nuk mund të vazhdojnë të shohin me serenitet se si një shtet kandidat i BE, Serbia, përfshihet kundër një shteti tjetër kandidat i BE, Moldavia, në një operacion destabilizimi dhe grushti shteti, të ndërmarrë nga Rusia.

Nuk mund të mos habisë fakti që deri tani nuk janë ndjerë me ndonjë kritikë në adresë të Serbisë as Borrelli, as Lajçaku dhe as zëdhënësi  i tyre Stano, në një kohë kur krimi shtetëror serb është kaq flagrant dhe antieuropian. Syzet optike të diplomacisë së BE punojnë vetëm kur ndonjë mizë sovrane nga Prishtina kalon urën e Ibrit dhe hyn në qiellin e ndaluar të komunave separatiste serbe në veri.

Duhet të alarmohet veçanërisht diplomacia e shteteve kryesore të BE, që shohin se Serbia vazhdon t’i sfidojë me refuzimin e sanksioneve antiruse. Përveç kësaj Serbia ndërmerr sfidën tjetër edhe më të madhe duke u bashkuar me veprimtarinë destabilizuese të Rusisë në Moldavi. Nuk dihet ende nëse ka mbetur ndonjë iluzion i përhapur gjërësisht ditët e fundit nga disa qarqe diplomatike europiane se presidenti serb Vuçiç dhe qeveria serbe po bëjnë kthesë për t’u larguar nga Rusia.

Nuk duan ta besojnë ambasadorin e Rusisë në Serbi, Aleksandër Bocan Harçenko, i cili në 12 shkurt i deklaroi agjencisë zyrtare ruse të lajmeve “RIA Novosti” se “qendrimi i Beogradit për refuzimin e sanksioneve antiruse të Perëndimit është heroik”. Nuk duan ta besojnë as ministrin e jashtëm rus, Sergej Lavrov, i cili në letrën dërguar Ivica Daçiçit në 13 shkurt i shkruan se “marrëdhëniet serbo-ruse bazohen në origjinën e përbashkët sllave dhe në fenë”.

Por të paktën të besojnë  presidenten proeuropiane të Moldavisë, Maia Sandu, e cila po denoncon publikisht dhe zyrtarisht përfshirjen e Serbisë në përpjekjet ruse për destabilizimin e Moldavisë.

Duhet të kishte edhe në NATO në alarm ne drejtim të veprimeve të Serbisë, sepse veprimet e shërbimit sekret serb sëbashku me veprimet e shërbimiti sekret rus në Moldavi janë veprime ushtarake dhe operacione ushtarake. Serbia po punon të ndihmojë Rusinë që të krijojë një rrethanë të re gjeopolitike të favorëshme për strategjinë ushtarake ruse në Ukrainë.

Kjo përfshirje e Serbisë në operacionet diversioniste dhe subversive rrëzon iluzionin e disa zyrave atlantike, që përkrahin demagogjinë serbe të “neutralitetit ushtarak”. Nga ana tjetër NATO duhet të shqetësohet që një shtet anëtar i saj si Mali i Zi del i implikuar edhe ai në operacionet diversioniste dhe destabilizuese të Rusisë në Moldavi.

Në mënyrë të veçant denoncimi i Serbisë nga presidentja e Moldavisë për përfshirje në destabilizim rus të vendit të saj duhet të shkatojë një alarm të madh në qeveritë dhe në institucionet e sigurisë të vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe të Europës Juglindore. Serbia dhe drejtuesit e saj të sotëm Vuçiç e Daçiç, që vijnë nga kabineti kriminal i presidentit kriminel Millosheviç janë armiq gjenetikë të Perëndimit dhe nuk mund të besohen  kurrë.

Nuk besoj se ka naiv me dy pare mend në kokë, që mund  të mendojë se Serbia, e cila mori pjesë në grushtin e shtetit në Mal të Zi, në përpjekjen për grusht shteti në Shkup, dhe këto ditë në përpjekjet ruse për grusht shteti në Moldavi, do të kursejë shqiptarët dhe do ta mbajë dorën e ndërhyrjes larg Shqipërisë. Projekti i presidentit serb Vuçiç për “Ballkanin e hapur”  është projekt i krijimit të hapësirës së gjërë ballkanike të veprimarisë, të kontrollit dhe të ndikimit të shërbimit sekret serb dhe të Serbisë në shtetet pjesëmarrëse dhe në gjithë rajonin ish-jugosllav, ku fatkeqësisht është futur Shqipëria.

Institucionet atlantike e dinë mirë se Serbia ushtron një veprimtari të ethëshme të nëndheshme edhe në Shqipëri, edhe në Kosovë. Lobet serbe dhe ruse janë forcuar në mënyrë të frikëshme, pavarësish retorikës zyrtare atlantike dhe europeiste. Shërbimet ruse dhe serbe punojnë në të gjithë spektrin politik për ta pasur ndikimin sa më të sigurtë.

Presidentja e Moldavisë tërhoqi vëmendjen në 13 shkurt për një fenomen  rajonal, të përdorur nga shërbim sekret rus se “aksionet violente, të maskuara si protesta të së ashtuquajturës opozitë, duan të imponojnë një ndryshim të pushtetit”. Kjo don të thotë se diversioni dhe subversioni rus dhe serb kanë si objektiv ndikimin dhe manipulimin e forcave të caktuara politike në funksion të strategjisë së destabilizimit të shteteve protlantike dhe proeuropiane.

Alarmi i madh, që vjen nga presidentja e Moldavisë, duhet të kthjellojë mendjet e qeverive dhe të institucioneve të sigurisë në Shqipëri dhe në Kosovë se Serbia mbetet një shtet armik i interesave jetike të kombit shqiptar,  dhe që punon natë e ditë për të dobësuar kombin shqiptar dhe për t’i mbajtur Shqipërinë dhe Kosovën të ndarë nga njeri-tjetri.

Botuar në DITA

https://gazetadita.al/faqe-e-pare-dora-e-serbise-neper-grushte-shteti-ne-europen-juglindore/

By Editor

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *