Nga Daut Dauti

Sot, sikur edhe nesër, ndodh ajo që ndodh gjithmonë në konferencat ndërkombëtare ku arrihen marrëveshjet e këtij lloji. Me pak fjalë, bota e përkrahë atë që është më  i forti. Kjo ndoshta për dikënd nuk ka logjikë, por kështu funksionojnë gjërat në fushën ndërkombëtare. Kjo është për shkak se vetëm i forti është në gjendje të garantojë implementimin apo joimplementimin e marrëveshjes. Ky është parimi mbi të cilin funksionojnë takimet ku arrihen marrëveshjet e kësaj natyre. 

Dikush do të thoshte se kjo nuk është e vërtetë pasi që bota i ndihmoi Kosovës në Konferencën e Rambujesë. Por kjo nuk është e vërtetë. Në Konferencën e Rambujesë bota nuk e dëmtoi Serbinë pasi që ia njohu sovranitetin ndaj Kosovës. Gjërat shkuan në favor të Kosovës pasi që Serbia, gjegjësisht Millosheviqi, nuk i pranoi vendimet e Rambujesë dhe e futi Perëndimin me zor në garë të inateve. 

Bota i ka ndihmuar Kosovës shumë më tepër se që mendojmë ne. Ia ka mundësuar Kosovës rrugën e pavarësimit. Por, pavarësimi nuk arrihet pa ekonomi dhe mentalitet të pavarur. Në kohën kur ne është dashur të pavarësohemi (lexo: të ndërtojmë ekonomi dhe ushtri), ne ia kemi vjedhur Kosovës të mirat publike, të cilat nuk e kemi ditë e as sot nuk e dimë se çka dhe cilat janë. E kemi vrarë njëri-tjetrin dhe tërë kohën e kemi kaluar duke u akuzuar për spiuna të Serbisë dhe për anti-amerikanizëm. Ne e kemi shpikur termin ‘miqësia e përhershme’ (term qesharak) dhe kemi menduar se vetëm duhet të jemi proamerikanë në aspektin formal e verbal. Kemi menduar se bota duhet të na shpërblejë neve për këtë dëgjueshmëri dhe ta dënojë Serbinë për jodëgjueshmëri. Mentaliteti ynë nuk ka dalë përtej këtij batllëku. 

Ndërkohë Serbia e ka ringjallur ekonominë dhe e ka forcuar ushtrinë. Serbia, duke qenë vazhdimisht kundër perëndimit, i ka joshur investimet e tyre për shkak se u ka ofruar garancione dhe siguri. Me prodhimet e saja e ushqen Ballkanin kurse me ushtri e kërcënon në të njejtën kohë. Asnjëherë Serbia nuk ka lëshuar pe ndaj Kosovës. Serbia nuk ka ofruar alternativë në këtë çështje sikur shqiptarët të cilët i kanë paraqitur 100 alternativa e asnjë qëndrim. Ky mentalitet natyrisht që prodhon dështim që kthehet kundër vetvetes dhe e përgatitë rrugën për të pranuar çkado që na jep bota. Ne e kemi shndërruar veten në pamjen e lypësit të leckosur me shkop në dorë dhe thes në shpinë. Lypësit nuk i jepet më shumë se një copë bukë e një tas ujë.

By Editor

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *