Faqja zyrtare e Bashkimit Europian ka publikuar të plotë planin franko-gjerman që synon normalizimin e raporteveve mes Kosovës dhe Serbisë.
Propozimi i mbështetur dhe nga SHBA-të përmban 11 nene, ku kornizohet qartë pozita e Kosovës si shtet i pavarur dhe Sovran.
Diskutime dhe debate pritet të sjellë neni 10 i propozimit që përcakton detyrimin e dy shteteve për të njohur dhe zbatuar marrëveshjet e nënsshkruara në të kaluarën mes Kosovës dhe Serbisë. Rrjedhimisht, kjo nënkupton dhe zbatimin e marrëveshjes për themelimin e Asosacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë.
Nënshkrimi i këtij propozimi e obligon Kosovën që brenda 15 ditësh të paraqesë një version të sajin për formën dhe përmbajtjen e Asosacionit.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti theksoi dje pas takimit me presidentin serb, Aleksandër Vuçiç në Bruksel se ai kishte qenë i gatshëm për të nënshkruar këtë propozimin, por presidenti serb kishte hezituar të firmoste. Kurti la të kuptohet se propozimi paraprak nuk e përmbante kërkesën për themelimin e Asosacionit. Vetë Aleksandër Vuçiç tha pas takimit se nuk kishte firmosur pasi nuk kishte patur një parashtrim të qartë rreth krijimit Asosacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë.
Takimi i radhës Kurti-Vuçiç pritet të mbahet në datën 18 mars në Bruksel.
Përmbajtja e plotë e propozimit franko-gjerman .
Neni 1
Palët do të zhvillojnë marrëdhënie normale, të fqinjësisë së mirë me njëra-tjetrën mbi bazën e të drejtave të barabarta. Të dyja Palët do të njohin reciprokisht dokumentet e tyre përkatëse dhe simbolet kombëtare, duke përfshirë pasaportat, diplomat, targat dhe vulat doganore.
Neni 2
Të dyja palët do të udhëhiqen nga qëllimet dhe parimet e përcaktuara në Kartën e Kombeve të Bashkuara, veçanërisht ato të barazisë sovrane të të gjitha shteteve, respektimit të pavarësisë, autonomisë dhe integritetit territorial të tyre, të drejtën e vetëvendosjes, mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe mosdiskriminimi.
Neni 3
Në përputhje me Kartën e Kombeve të Bashkuara, Palët do të zgjidhin çdo mosmarrëveshje ndërmjet tyre ekskluzivisht me mjete paqësore dhe do të përmbahen nga kërcënimi ose përdorimi i forcës.
Neni 4
Palët vazhdojnë me supozimin se asnjëra nga të dyja nuk mund të përfaqësojë tjetrën në sferën ndërkombëtare ose të veprojë në emër të saj. Serbia nuk do të kundërshtojë anëtarësimin e Kosovës në asnjë organizatë ndërkombëtare.
Neni 5
Asnjëra palë nuk do të bllokojë, as nuk do të inkurajojë të tjerët të bllokojnë, përparimin e palës tjetër në rrugën e tyre përkatëse në BE bazuar në meritat e tyre. Të dyja palët do të respektojnë vlerat e përmendura në nenet 2 dhe 21 të Traktatit të Bashkimit Evropian.
Neni 6
Ndërsa Marrëveshja aktuale përbën një hap të rëndësishëm normalizimi, të dyja palët do të vazhdojnë me një shtysë të re procesin e dialogut të udhëhequr nga BE-ja, i cili duhet të çojë në një marrëveshje ligjërisht të detyrueshme për normalizimin e plotë të marrëdhënieve të tyre. Palët bien dakord të thellojnë bashkëpunimin e ardhshëm në fushat e ekonomisë, shkencës dhe teknologjisë, transportit dhe konektivitetit, marrëdhënieve gjyqësore dhe të zbatimit të ligjit, postës dhe telekomunikacionit, shëndetësisë, kulturës, fesë, sportit, mbrojtjes së mjedisit, personave të zhdukur, personave të zhvendosur dhe fushave të tjera të ngjashme nëpërmjet lidhjes së marrëveshjeve specifike. Detajet do të bien dakord në marrëveshje shtesë të ndërmjetësuara nga Dialogu i udhëhequr nga BE.
Neni 7
Të dyja palët angazhohen të krijojnë marrëveshje dhe garanci specifike, në përputhje me instrumentet përkatëse të Këshillit të Evropës dhe duke u mbështetur në përvojat ekzistuese evropiane, për të siguruar një nivel të duhur të vetë-menaxhimit për komunitetin serb në Kosovë dhe aftësinë për ofrimin e shërbimeve në fusha specifike, duke përfshirë mundësinë e mbështetjes financiare nga Serbia dhe një kanal të drejtpërdrejtë komunikimi për komunitetin serb me Qeverinë e Kosovës. Palët do ta zyrtarizojnë statusin e Kishës Ortodokse Serbe në Kosovë dhe do të ofrojnë nivel të fortë mbrojtjeje për objektet e trashëgimisë fetare dhe kulturore serbe, në përputhje me modelet ekzistuese evropiane.
Neni 8
Palët do të shkëmbejnë Misionet e Përhershme. Ato do të vendosen në selinë e Qeverive përkatëse. Çështjet praktike në lidhje me themelimin e Misioneve do të trajtohen veçmas.
Neni 9
Të dyja palët marrin parasysh angazhimin e BE-së dhe donatorëve të tjerë për të krijuar një paketë të veçantë investimi dhe mbështetje financiare për projektet e përbashkëta të Palëve në zhvillimin ekonomik, lidhjen, tranzicionin e gjelbër dhe fusha të tjera kyçe.
Neni 10
Palët do të krijojnë një Komitet të përbashkët, të kryesuar nga BE-ja, për monitorimin e zbatimit të kësaj Marrëveshjeje. Të dyja palët konfirmojnë detyrimin e tyre për të zbatuar të gjitha marrëveshjet e kaluara të Dialogut, të cilat mbeten të vlefshme dhe detyruese.
Neni 11
Të dyja palët angazhohen të respektojnë Udhërrëfyesin e Zbatimit të aneksuar në këtë Marrëveshje.