Nga Daut Dauti
Pansllavizmi është ideologji shoveniste që ka lindur në fillim të shek. XIX në Çekinë e sotshme, fillimisht si lëvizje kundër sundimit të habsburgëve.
Më vonë, kah mesi i shek XIX kjo lëvizje u zgjerua dhe udhëheqjen e saj e morën intelektualët rusë, të cilët i dhanë edhe karakter politik e kulturor. Kjo u bë për arsye se Rusia ishte fuqi në ekspansion dhe sllavët që ishin nën sundimin austro-hungarez dhe otoman i drejtuan sytë dhe duart nga shën Peterburgu – Rusia cariste.
Intelektualët rusë (shkrimtarët, poetët, filozofët, historianët …) te sllavët që ishin nën sundim austro-hungarez dhe otoman, me veprat e tyre e përhapën një mburrje të origjinës sllave duke i potencuar karakteristikat e përbashkëta të këtyre popujve. Por, kjo ‘mburrje’, e bazuar në ortodoksizëm, u ndërtua mbi urrejtjen ndaj katolikëve dhe myslimanëve. Kjo ishte për arsye se në këto dy perandori jetonin sllavët dhe u synua që të shkatërroheshin dhe mbi themelet e tyre të krijoheshin shtete sllave.
Me rënien e Perandorisë Austro-Hungareze urrejtja që përhapte pansllavizmi kundër katolikëve, gati pushoi për shkak se u krijuan shtetet sllave dhe mbetën nën ndikimin e Evropës, e cila ishte më e fuqishme se Rusia. Por urrejtja ndaj myslimanëve mbeti dhe u zhvilua edhe më shumë. Kjo ishte për shkak se në territoret ish-otomane, kishin mbetur një numër i madh i myslimanëve që ranë nën Rusinë apo shtetet sllave e që ishin element i papërshtatshëm për asimilim. Prandaj, këto shtete filluan persekutimin, vrasjen dhe dëbimin e myslimanëve për shkak se ata nuk mund të integroheshin në ideologjinë pansllave.
Kur Lenini erdhi në pushtet, e shpalli pansllavizmin si ideologji shoveniste dhe e ndaloi. Pansllavizmi u kthye nga Stalini kur erdhi në pushtet. Stalini e ktheu për arsye se kjo ideologji kishte strukturë dhe kishte depërtuar thellë te intelektualët dhe popujt sllavë. Prandaj, ai e shfrytëzoi për nevoja të sundimit komunist. Stalini e mbështjelli pakon e komunizmit me pansllavizëm dhe e shpërndau gjithandej përfshirë edhe vendet e Ballkanit. Por, tashti kjo ideologji ishte kryesisht anti-myslimane. Veprat e intelektualëve sllavë e dëshmojnë këtë fakt, sidomos interpretimi i lëndës së historisë.
Kjo ideologji e rrezikshme depërtoi edhe të shqiptarët, por vetëm pas Luftës së Dytë Botërore. Në Shqipëri deri kur erdhi komunizmi, kjo ideologji nuk ishte prezente por u bë gati zyrtare kur erdhën komunisët pas vitit 1945. Komunistët shqiptarë për të treguar se sa ishin pro rusë (lexo: pansllav), ia zhdukën varrin Gjergj Fishtës. Kjo nuk u bë pse ai ishte prift, por për shkak se ai ishte anti sllav, plus Fishta nuk kishte urrejtje për myslimanët dhe kjo nuk ishte gjë e mirë për pansllavët. Kjo ndodhi për shkak se mardhëniet me rusët ishin të mira dhe u madhështua literatura dhe arti rus, që në brendi e përmbante porosinë pansllave. Edhe te shqiptarët në ish-Jugosllavi, kjo ideologji depërtoi pas vitit 1945.
Në vitin 1918 Jugosllavia, fillimisht shteti Serb-Kroat-Slloven, u krijua tërësisht mbi ndjenjën dhe planin pansllav. Emri Jugosllavi, pra sllavët e jugut, e shpjegon përmbajtjen. Edhe pse ideologjia pansllave ishte dominante dhe e vetme nga viti 1918 deri më 1945, shqiptarët, si myslimanë e si katolikë, nuk u ndikuan për shkak se nuk shkonin në shkollat e këtij shteti. E vetmja shkollë në të cilën shqiptarët shkonin me numër të kufizuar, ka qenë medresja e Shkupit, të cilën e ndërtoi mbreti serb dhe që kishte për qëllim të krijonte hoxhallarë me ndikim të kulturës pansllave.
Por, gjërat ndryshuan pas vitit 1945 kur filluan shkollat dhe mediat në gjuhën shqipe. Gjuha ishte shqipe, por tekstet ishin të përkthyera nga serbo-kroatishtja dhe tërësisht me ngjyrë të kulturës pansllave për shkak se as komunistët jugosllavë nuk e eleminuan këtë ideologji. Myslimanët në shtetin e sllavëve të jugut nuk kishin mundësi të asimiloheshin në sllavë. Sidomos shqiptarët që edhe gjuhën dhe prejardhjen etnike e kishin tërësisht tjetër. Prandaj, ata u dëbuan në Turqi në disa valë.
Ky ndikim ende është prezent te shqiptarët për shkak se nuk e kanë reformuar sistemin e arsimit, por edhe për shkak se ka kaluar një kohë mjaft e gjatë nën dominim pansllav.
Andaj nëse sot vëreni urrejtje ndaj myslimanëve shqiptarë, por edhe ndaj katolikëve, duhet ta dini se ku është burimi.