Nga Ermal Mulosmani
Mbyllja e Ballkanit të Hapur është një shenjë e prishjes së miqësisë Rama-Vuçiq, kthim në situatën e konfliktualitetit që ka sunduar Gadishullin me shekuj.
Unë kam menduar se afrimi i menjëhershëm, jonatyral, jogradual mes Ramës dhe Vuçiq, darkat e tepruara me verë e muzikë serbe a shqiptare kanë qenë një përpjekje e Ramës për protagonizëm provincial. Ai ishte i gatshëm që përmes një moderniteti të skajmë, alla Ramë, të harronte më shumë se 100 vjet histori konflikti genocidal, vrasjesh, pabesish, përpjekjesh për shfarosje.
Përmes një miqësie kozmopolite të kërkuar me ngulm e patos me presidentin serb, Rama ndoshta aspironte një vend nderi në “paqen e përjetshme” Kosovë – Serbi. Unë kështu e kam parë, një përpjekje donkishoteske për të gjetur ujë në shkretëtirë. Rama e bëri këtë përpjekje pa propozimin e Kosovës dhe, për më tepër, me kundërshtimin e të gjithë faktorëve të rëndësishëm politikë të saj. Kishte një dehje mirëbesimi dhe vetëbesimi nga ana e tij sa sot, kur deklaron mbarimin e misionit të Ballkanit të Hapur, tingëllon si një axhami politik, një naiv i shkallës sipërore.
Për të fshehur dështimin spektakolar deklaron se misioni i BH ka qenë nxitja e Proçesit të Berlinit. Në fakt na ka pasë ça veshët duke thënë: “këto dy nisma nuk e përjashtojnë njëra- tjetrën”. Liria e lëvizjes së njerëzve, mallrave, kapitaleve dhe shërbimeve që u servir si shpëtim i rajonit tashmë po na thuhet se “ashtu ishte loja”…Dhe ustallarët propagandistikë do përpiqen ta sjellin si “sukses të radhës të gjeniut tonë”.
Në fakt dështimi publik i atyre dhjetëra takimeve propagandistike mes liderucësh ballkanas që po habisnin botën me mirëkuptimin e tyre është një simptomë e një situate shumë të keqe rajonale. Përtej rezervave për dashurinë me shikim të parë “Rama – Vuçiq”, kishte një farë entuziasmi ndërkombëtar por edhe rajonal, ndoshta naiv, se kohët e konflikteve në Gadishullin problematik po përfundonin dhe po hynin në një epokë të re.
E bash këtu dua të ndalem. Mbyllja e BH tregon rikthimin e “lufës së ftohtë” ballkanike. Shtetet me gjasë do kthehen në pozicionet e tyre të vjetra: gjahtarë dhe pre, të gatshëm për sulm dhe me paranoja historike. Në këtë kontekst ky zhvillim është jashtëzakonisht negativ. Jo si dështim në vetvete por si tregues i kthimit të situatës së vjetër.
Më poshtë po sjell një këndvështrim sesi bota e sheh Ballkanin përmes një teksti që e kam pasë publikuar para disa kohësh.
Misha Glein, gazetari i njohur i BBC dhe njohës i shkëlqyer i Ballkanit, në librin e tij “Historia e Ballkanit”, i referohet thënies së një gazetari dhe shkrimtari të njohur amerikan, John Gunter. Ky Gunteri paska shkruar një libër me titull “Evropa pa maskë” ku e përcakton kështu rolin e Ballkanit në botë:
“Është turp i padurueshëm për frymën njerëzore e politike, që këto vende të vogla, të pafata e të mjera në Gadishullin e Ballkanit të grinden, e vërtetë guxojnë të grinden, deri aty sa të shkaktojnë Luftëra Botërore. Rreth 150 mijë të rinj amerikanë duhet të vdisnin për shkak të një vrasjeje, të kryer më 1914, në një fshat primitiv plot baltë me emrin Sarajevë! Megjithatë, hakërrimat e neveritshme e gati të ndyra në politikën ballkanike, jo fort të kuptueshme për lexuesin perëndimor, ende luajnë një rol jetik për paqen në Europë e ndofta edhe në botë.”
Autori i “Historia e Ballkanit” e komenton kështu konsideratën për Gadishullin tonë të dashur:
“Kjo përbuzje e Gunterit pasqyron atë opinion mbizotërues që e vështronte dhe e vështron Ballkanin si toksinë e rrezikshme për trupin e Europës.
Përbërja e kësaj toksine mendohet se është tepër e ndërlikuar për tu përballur me çdo lloj antidoti…
Në mungesë të ilaçit , perëndimi e pa të arsyeshme ta izolonte e ta harronte në punë të vet.”
(Misha Glein, Historia e Ballkanit, faqe 25-26).
Kjo e shpjegon shumë mirë edhe nismën “Toksina e Hapur”. Madje edhe euforinë Europiano-Amerikane për këtë nismë.