I

Kuturu

Eci rrugëve kot, kuturu
dhe s’di ku shkoj,
xurxull jam prapë unë – se ajo,
një bohem nuk e do.

Sa të desha, shpirt s’mund ta dish,
të vodhën ty – pabesisht,
me pije mbys dhimbjen pa fund…

Sa e lumtur je, unë s’e di,
me atë që jeton,
mund ta blejë ai për ty dhe botën,
vetëm zemrën, jo!

Mbeti shkretë tani streha jonë,
në luks je ngrirë, në kyç trishton,
si në muze, si një Xhokondë.

Unë në jetë i pasur s’jam vërtet,
por në ëndërr e shoh veten mbret,
nëpër pube tok me miqtë harxhoj,
unë hënën si monedhë.

Ti po fle tani, Xhokonda ime,
shiu si det mbi mua zbrazet,
as rrufetë s’më vrasin dot.
se ka një Zot!

II

Sytë
Sytë shohin, shihen, fshehin, fshihen.
Sytë ikin, largohen, sytë mërgohen.

Sytë ndrijnë, qeshin, ndizen, ndezin.
Sytë dashurojnë, dashurohen, sytë
verbohen.

Sytë lotojnë, pikëllojnë, harrohen, harrojnë.
Sytë ftohen e s’flasin, sytë vrasin.

Shtati kallkan ngrin,
sytë mbesin,
hapur, kur vdesim.

III
Kur braktis atë që do

Ti po kthehesh përsëri tek unë,
Me pendesë edhe trishtim pa fund.
Ka shumë kohë qe po të pres…
Sa shumë…
Vjen,
Përmes erës nëpër natë, ti vjen.
Nostalgji dhe dëshpërim më sjell…
Sa e huaj je tani, s’e ndjen?…

Ku shkuan ëndrrat, ku?
Ke deshën sytë e tu?
S’e di…!
Ne heshtim që të dy.
Na ndan një ftohtësi, tani…

Kur braktis atë që do,
Vjen një çast qe e kupton,
Se pa te, ti dot s’jeton…!

Çfarë më thuaj vlen në botë,
Kur je vetëm e ke ftohtë,
Dhe një zemër s’e gjen dot…?

Ku shkuan pritjet, ku?
Ku ndali hapi yt?
S’e di…!
Një ndjenje në fshehtësi,
Jam skllavi yt me thotë tani…

Unë,
Sa trishtim po ndjej ne shpirt, çudi…!
Kur pendesën shoh në sytë e tu.
S’di…te dua a te humba përgjithnjë?!

Ti u ktheve, lotin shoh te ngrire.
Jam i dobët dhe te fal?! S’e di…
Mund ta kthejmë në jetë dashurinë?!…

By Editor

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *