I

Hija e Augustit

Me duart e lidhura pas shpine
Zbres në qendër të qytetit
Prapa sikur më ndjek
Hija e Augustit
Me togën e qëndisur mbi supe

S’më përmend
As Instituti Albanologjik
As Fakulteti Filologjik
Veç fytyra e verdhë limon e një miku
Që ngjit me kujdes hapat përpjetë
Dhe më një nënqeshje mjaltë të hidhur
Vë në lojë çdo gjë që deshëm
Kur dielli na i ndriste
Të gjitha skutat e shpirtit
E ne besonim shpresonim
Si kudo të marrët në botë

II

Jeta në Mozomazi

Në Mozomazi mund të vdesësh çdo çast
Të këputesh si lule në erë
Dhe të vazhdosh së jetuari pas vdekjes
Me të gjallët e vdekur përreth
Që ruajnë kujtimin tënd të përgjakshëm
Si vashën e mallit të parë

Në Mozomazi jetohet për mrekulli
Aktor mund të jesh kur të duash
Dhe të ndërrosh jetë kur të të teket
Si një aktor i palodhshëm tragjik

Ja pse në Mozomazi pihet shumë raki
Dhe pagjumësia bëhet ëndërr e ankthshme
Dhe njerëzit kanë turp të gjallojnë
Karshi thneglave milingonave karkalecave

Që kryejnë punët e ditës e natën çojnë dashuri

Zot
Në Mozomazi nuk shihet njeri
Se nata bie aq shpesh
Dhe terri është aq pis

Çdo gjë që lëviz ecën fluturon
Shoqërohet lehaqensh larashësh laureshash

III

Tradhëtia

E përcolla me një pikëllim të fshehur
Në sy në buzë nën bark
I shihja gjurmët e tjetrit

Kur u ktheva
Në dhomë kishte rënë stuhia
Shtrati sikur ishte kthyer përmbys
Banja merrte frymë me vështirësi
Si një i sëmurë astmatik

Hodha shpejt e shpejt në shportë
Brekët këmishët çarçafët
Shtratin e shtrëngova mirë për këmbësh
Po hija po era e saj ishte kudo

E di se më nuk do ta takoj
Se tjetri në sy në buzë nën bark
Do të lexojë me pikëllim
Gjurmët e mia

By Editor

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *