Nga Shkëlzen Halimi

Përvoja tregoi se edhe politika u bë mall konsumimi, ndërkaq në këtë treg mund të qëndrojnë vetëm ata që i kanë paratë. Te paraja, siç do të shihet nga shembujt e shteteve në tranzicion, në veçanti në hapësirën ballkanike, lehtë dhe shpejtë do të arrihet vetëm përmes politikës. Brenda kësaj periudhe, shqiptarët i lanë anash të gjitha profesionet (përfshi edhe zejet e shumta) dhe verbërisht iu përkushtuan politikës, sepse tashmë ata, nga rrëfimet urbane-provinciale, kishin dëgjuar, por edhe u bënë dëshmitarë, se si shumë individë brenda natës e ndryshuan gjendjen e tyre materiale, duke u bërë model “i suksesit” për shumë të rinj që e shqelmuan edhe arsimin, duke thënë: “po kush ia ka parë hairin mësimit”! Politika, pra, u bë “biznesi” më profitabil. 

Më të fuqishmit do të jenë ata që do t’i kenë paratë, ata që i hapin valixhet sa herë që vjen koha e zgjedhjeve, ata që, në një mënyrë, janë bërë ente punësimi. Pavarësisht se në radhët e tyre do të gjejë strehë mosdija, dredhia, mashtrimi, manipulimi, shpërfillja, ata sot janë individë të respektuar, sepse në vend të tyre flet paraja, e cila përmes formave të ndryshme merret pikërisht nga ata, të cilët i mashtrojnë sa herë që e do nevoja. 

Pra, bëhet fjalë për një ndërlidhje absurde, por që funksionon në mënyrë të përsosur. Ata e blejnë popullin me paratë e popullit (sidomos gjatë zgjedhjeve). Nuk është vështirë të dish të blesh në politikë. Mjafton të blihet vetëm një produkt: vota dhe pushteti është i garantuar… Shqiptarët asnjëherë nuk i kuptuan rregullat e vërteta të politikës. Programi dhe statuti i partisë për ta është diçka e panjohur. Elitat politike preferojnë dëgjueshmërinë, ndërkaq militantët ushqehen me iluzionin për t’u pasuruar. Dëgjueshmëria është kushti kryesor dhe i vetëm për të qenë në pozita udhëheqëse, kurse për të tjerat kujdeset partia. Dhe, në këto pozita u ngjitën individë me moral të dyshimtë, me nivel të ultë të arsimit, injorantë, intrigantë, por edhe individë me të kaluar kriminale…

By Editor

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *