Nga Daut Dauti

Unioni Evropian dhe SHBA-të, janë duke i kërkuar Kosovës që të negociojë më duar të lidhura dhe nën kërcënim. Kosovës i kërkohet që të heqë dorë nga ajo që i takon si shtet. 

Kosovës i thuhet se nëse i pranon kushtet (e papranueshme), Serbia do të pushojë me veprimet joligjore që kanë për qëllim destabilizimin dhe më vonë zhbërjen e Kosovës. Pra, nëse Kosova nuk i pranon kushtet, Serbia do të lejohet të vazhdojë me zbatimin e politikës së saj dhe do të ndihmohet nga bashkësia ndërkombëtare me sanksione. 

Me këtë qëndrim, situata tenton të kthehet në vitin 1998. Atëherë, SHBA dhe Evropa (me Britaninë e Madhe në krye) e mbronin Serbinë duke dashur dhe menduar se kështu e ruajnë stabilitetin në Ballkan. Në shkurt të atij viti (1998), në kuadër të kësaj politike, i dërguari amerikan për Ballkanin, Robert Gelbard, e cilësoi UÇK-në si organizatë terroriste dhe mbi këtë bazë u nxorr Rezoluta 1160 e OKB-së. 

Qëndrim të njejtë shfaqi Britania e Madhe me përfaqësuesin e saj, Lord Carrington, i cili, së pari në Bosnjë e kërcënonte Alija Izetbegoviqin, që të lëshonte pe para agresionit serb. Qëndrimi i Carringtonit ishte i njejtë edhe për Kosovën. Madje, Carrington, nuk e ndryshoi kurrë këtë qëndrim. Në vitin 1999 ai e akuzoi NATO-n për spastrim etnik të shqiptarëve dhe më vonë UÇK-në për spastrim të serbëve. 

Ta kemi parasyshë që edhe atëherë kur Gelbard e akuzoi UÇK-në për terrorizëm, kishte shqiptarë që pajtoheshin me këtë gjë, por nuk dilnin haptas. Tashti ka ndryshuar situata dhe kundër Kosovës e UÇK-së, dhe në favor të Serbisë, kanë dalur një numër jo i vogël i ‘mediave’, ‘analistëve’ dhe tjerëve. Dmth këta i ndihmojnë procesit të vetëvrasjes së Kosovës. Natyrisht, disa janë pa mbamendje dhe budallenj, por jo të gjithë.

By Editor

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *