Nga Agim Morina

PARASHIKIM SI ARMË

Për me kuptu se cili ishte synimi përfundimtar i sulmit terrorist të Serbisë doemos duhet me analizu se çfarë i parapriu këtij sulmi. 

Parashikimi sa më i saktë i lëvizjes së ardhshme të kundërshtarit është arma më e fuqishme në diplomaci. Duke përdorë këtë zotësi, kundërshtari jo vetëm që mendon se po bën një lëvizje të qëlluar, por krijon zinxhirin e dështimeve, pa e kuptu këtë. Ashtu si insekti i kapur për cergën e merimangës që mendon se sa më shumë që lëviz shpëton, aj aq më shumë kurthohet. Dhe gjatë gjithë kohës së bisedimeve Kosovë-Serbi Albin Kurti dëshmoi se është mjeshtër në këtë fushë dhe kjo është arsyeja që me ardhjen e tij në bisedime me Serbinë gjithçka ndryshoi.

Thjesht, pas çdo rundi të bisedimeve, Serbia humbte hapin, çalonte në argumente dhe s’arrinte të sillte asnjë fakt shtesë në dobi të vet. E vërteta është që e drejta kishte qenë gjithmonë në anën e shqiptarëve, por këtë nuk kishte pasë kush ta mbronte denjësisht. Siç thoshte Albin Kurti, Kosova në këto bisedime nuk kishte qenë palë, por ishte bë temë e bisedimeve. Kosova bisedonte me kasapin e vet që ta kursente e të mos e vriste dhe për këtë pranonte që t’i pritej këmba apo dora. Por, cili kasap ndonjëherë ka pranu me u mjaftu me një këmbë apo dorë të qengjit, kur mund të kishte të tërin? 

FITORJA E PARË DHE GABIMI I PARË

Përparësia e Serbisë, pa dyshim, ishte që kontrollonte katër komunat veriore të Kosovës. Kjo paraqiste një gjendje tejet negative në terren dhe pozitë të disfavorshme në bisedime. Në Kosovë qenë kriju dy lloj serbësh: serbë lojalë në jug dhe serbë jolojalë në veri. Në vend që, pas lëshimeve të mëdha të shqiptarëve, serbët e veriut të bëheshin si serbë e jugut, qytetarë lojalë, përfitimet jo vetëm që privilegjuan serbët e veriut, por nisën t’i kthenin serbët e jugut në qytetarë jolojalë të Kosovës. Me krijimin e Zajednicës ky proces do të kurorëzohej me një autonomi dhe dikur edhe pavarësi të plotë nga Kosova. 

Krejt kjo ishte mundësu nëpërmjet ndërhymjes së ushtrisë franceze që nga çlirimi i Kosovës me 1999. Me pranimin e Planit të Ahtisaarit. Me zbatimin e pikave të Ban Ki Munit. Me privilegje e garanci të jashtëzakonshme për serbët në Bisedimet e Vjenës. Gabimi i parë kishte qenë që ishte pranu me bë bisedime me Serbinë dhe jo me serbët e Kosovës. Në këtë mënyrë Serbia kishte zënë dy pengje, edhe institucionet e Kosovës, edhe serbët e Kosovës. Serbia në emër të të drejtave të serbëve të Kosovës synonte të dobësonte shtetin e Kosovës sa më shumë dhe për këtë përdorte maksimalisht serbët e Kosovës. Serbët e Kosovës në fillim kishin iluzionin se Serbia po i mbronte, por kur ndodhi mospajtimi i parë me Serbinë, ata kuptuan se ishin pengje dhe jo faktorë bashkëpunues. Serbia nëpërmjet agjentëve të saj krijoi rrjetin kriminal që me çdo mjet futi nën kontroll serbët e Kosovës. Puna erdhi deri aty sa në skenën politike serbe të Kosovës ata përfaqësohen vetëm nga një parti, nga Lista Serbe, megjithëse serbët janë pakica më e madhe në Kosovë. Kjo nuk ndodh me asnjë pakicë kombëtare në Kosovës. Të gjithë përfaqësohen nga dy apo më shumë parti. 

Serbia vazhdimisht kishte përfitu, pa dhënë asgjë. Nuk kishte pranu asnjë marrëveshje, por kishte leju që përfitimet që vinin nga çdo marëveshje të zbatoheshin në terren. Nga pesë komuna egzistuese, ishin kriju edhe pesë komuna të reja për serbët, në kohën kur këto bisedime i udhëhiqte Lutfi Haziri. 20 vende janë të garantuara në Kuvendin e Kosovës. Gjuha serbe është gjuhë e dytë zyrtare. Asnjë ndryshim i kushtetutës së Kosovës nuk mund të bëhet pa pajtimin e serbëve. Fusha e kulturës, e arsimit dhe e shëndetësisë janë realisht në duart e organeve komunale. Me të gjitha këto lëshime shpresohej se serbët do të përmbushnin nevojat e tyre dhe do t’i bindeshin shtetit të Kosovës. Por, duke qenë se këto kërkesa asnjëherë nuk kanë qenë kërkesa të serbëve të Kosovës, por të Serbisë, ato as nuk pranoheshin, as nuk mohoheshin kurrë nga serbët e Kosovës. Ata as nuk i pyeste kush për këtë në Serbi. Thjesht, serbët e Kosovës ishin dhe mbetën pengje të politikës klerofashiste të Serbisë. Dëshmi e kësaj është fakti që kur serbët dikur antishqiptarë më ekstremistë të Kosovës, edhe me të kaluar kriminale, guxuan të vinin në pyetje autoritetin dhe ndikimin e Serbisë, ata u vranë, siç ndodhi me Oliver Ivanovicin, ose u rrahën, u sulmuan apo iu dogjën makinat.

Në një gjendje të këtillë Albin Kurti duhej të zbatonte një strategji tejet të kujdesshme. Megjithëse fitoi në zgjedhje mbi 50 për qind, gjeti një organizim institucional kaotik, një ekonomi gati të rrënuar, një administratë që kalbej nga korrupcioni dhe një grumbull marrëveshjesh ndërkombëtare tejet të rënda e të detyrueshme të shtetit të Kosovës, aj duhej me u përballë me shtetin klerofashist të Serbisë. Askush nuk kishte shpresë së do të ndodhte ndonjë ndryshim i shpejtë dhe i jashtëzakonshëm. Sidoqoftë, zoti Kurti përcaktoi qartë pikat e planit dhe pika kryesore ishte ballafaqimi me Serbinë. Serbia ishte faktori më i dëmshëm që nuk linte Kosovën të bënte asnjë hap përpara. 

Në fillim Kurti u shfaq si një bashkëbisedues i mirë, i rregullt dhe deri diku i dëgjueshëm. BE-ja që kishte një Borrell si sekretar të Jashtëm, vetë katalonas, por shpirtshitur, vendosi Lajcakun si të dërguar të posaçëm, sllovak dhe antishqiptar i përbetuar. Të dy këta vinin nga dy shtete mosnjohëse të pavarësisë së Kosovës nga 27 shtetet e BE-së. Kurti nuk shfaqi asnjë kundërshti. Por, takim pas takimi, aj filloi të kuptojë se pse qasja ishte e gabueshme dhe e padrejtë. Nga jashtë këtë e kishte vënë re këtë edhe më parë, por tash e shihte se nga vinte kjo. Dhe e kuptoi se çelësi i vetëm i suksesit të tij ishte një e çarë e vogël në qasjen që bënin ndërmjetësit ndërkombëtarë: të zbatonte me përpikëri çdo germë të kushtetutës e të ligjeve të Repubilkës së Kosovës. Gabimi kryesor i deriatëhershëm kishte qenë mbyllja e syve, lëshimi pe, në këtë apo atë ligj apo nen të kushetutës së Kosovës. Kosovaedhe nga vetë qeveritarët e Kosovës ishte trajtu si një shtet i papërfunduar, i paformë, mbi të cilin lejohej të bëheshin ndryshime, pa përfillur ligjet dhe kushtetutën e tij. Kjo nuk mund të ndodhte më. Por qasja e re duhej të ndodhte me doza të vogla, të pahetueshme. 

Gabimin e parë Vucici e bëri kur u përpoq të vepronte si më parë: të mbante zgjedhjet e Serbisë në Kosovë. Kryeministri Kurti e kundërshtoi këtë me forcë. Dhe zgjedhjet nuk u mbajtën. Vucici bëri edhe përpjekjen e dytë, provoi të organizojë një referendum të Serbisë në Kosovë. Prap, kryeministri Kurti e ndali këtë përpjekje, me gjithë zërat kundërshtues në Kosovë dhe jashtë Kosovës. 

Kryeministri i Kosovës dëshmoi në praktikë se sa e thjeshtë ishte me kundërshtu Serbinë: duhej m’iu përmbajtë pikë për pikë ligjeve të shtetit të Kosovës. 

FITORJA E DYTË DHE GABIMI I DYTË

Zbrapsja në bisedime, ngushtimi i mundësisë së lëvizjeve, mbyllja e rrugëve për argumentimeve të kota sollën deri te një pikë kur Vucici, pa e hetu, u fut në kurth. Dhe fundi i këtij plani kuthimi ndodhi në Ohër. Askush nuk kishte pritë që Albin Kurti do të pranonte të nënshkruante Marrëveshjen e Ohrit. Vucici kishte ardhë krejtësisht i sigurtë që, duke qenë se zoti Kurti nuk do të nënshkrunte, pozicioni i tij ishte vetvetiu i lehtë, sepse faji për mosarritjen e çfarëdo marrëveshjeje do t’i mbetej Kurtit. Pra, Kurti ia kishte dalë me kriju iluzionin te Vucici dhe te ndërmjetësit se që të mendonin se e dinin lëvizjen e ardhshme të Kurtit. Dhe ndodhi e kundërta: Kurti pranoi të nënshkruante marrëveshjen, të cilën tashmë e kishte dizajnuar në atë mënyrë që do të mund të thoshte ‘po’, pa dëmtuar esencialisht interesat e Kosovës. Kur Vucici kuptoi se Kurti po pranonte të nënshkrunte marrëveshjen, aj u gjet i papërgatitur për një skenar të tillë dhe nuk dijti se si të veprojë. Kjo i gjeti të papërgatitur edhe ndërmjetësit e BE-së, Borrellin dhe Lajcakun, të cilët kishin punu me Vucicin në këtë vijë, – gjithmonë kundër interesave të Kosovës, – për të ardhë deri në këtë pikë. As ndërmjetësit nuk dinin se si të vepronin. Ata kishin mendu se e kishin kurthu Kurtin, por në Ohër doli se Kurti i kishte kurthu ata. Se kishte pasë një marrëveshje paraprake mes ndërmjetësve të BE-së, eventualisht emisarit amerikan, dhe Vucicit tregon fakti se as ata të ballafaquar me këtë situatë të re e të papritur nuk patën ndonjë ofertë më të mirë se Vucici, edhe ata u kapën të papërgatitur me këtë skenar, dhe në fund pranuan një zgjidhje absurde: thanë se ka marrëveshje gojore dhe se kjo mjaftonte, megjithëse me ditë të tëra patën paralajmëruar se do të kishte nënshkrim, duke bërë një presion të tmerrshëm mbi palën shqiptare të Kosovës. 

(Mos)marrëveshja e Ohrit, prandaj, shënon pikë kthese vendimtare në bisedimet Kosovë-Serbi, sepse kjo është koha kur Vucici dhe ndërmjetësit ndërkombëtarë e kuptuan se gjatë gjithë kohës kishin luajtur lojën e Kurtit, pa qenë të ndërgjegjshëmn për këtë. Ndërsa Kurti vazhdimisht kishte kriju përshtypjen se po luante lojën e tyre. Pas takimit të Ohrit, pasi e kuptuan se sa naivë kishin qenë, ndërmjetësit ndërkombëtarë dhe Vucici u bënë bashkë edhe më shumë dhe nisën një fushatë të re presionesh mbi Kurtin. Natyrisht, kjo fushatë ishte e ngutshme dhe jo e menduar mirë, kishte edhe ndjenjë hakmarrjeje, edhe mllef, edhe stërkujdes. 

Si ishte e mundur që një djalë i ri, të sillte në gisht katër politikanë e diplomatë me përvojë? Përveç kësaj, aj ishte një shqiptar i një province të humbur në cep të Europës. Këto paragjykime dhe ky mllef bëri që ata të bëjnë gabime të radhës. Herë bashkë e herë veç e veç ata nisën me dhënë deklarata gjithnjë e më të pamatura e të pamenduara. Puna shkoi deri në atë pikë sa edhe një ndjekës më i thjeshtë i lajmeve të kuptojë se kjo gjuhë jo vetëm që nuk ishte e drejtë, por as diplomatike. Diplomatët e huaj u zunë të papërgatitur, sepse ishin mësuar me jesmenët e deridjeshëm të Kosovës, me gjysëmanalfabetë dhe poltronë të papërmirësueshëm. Vucici nuk ishte përballë asnjëherë me një ‘jo’ vendimtare. 

Sidoqoftë, pika më e dobët e Kurtit në bisedime ishte mungesa e kontrollit të plotë mbi katër komunat e veriut. Dhe Kurti ishte mëse i vetëdijshëm për këtë. Strategjia e tij e vetme ishte përpjekja me zbatu ligjin germë për germë, ashtu qysh e kishte gjetë të hartuar nga vetë ndërkombëtarët. Këtu qëndronte çelësi i suksesit të hapit të tij të dytë. Por edhe i dështimit të tij më katastrofal të mundshëm. E vetmja shpresë dhe armë e Kurtit ishte dhe mbetej mbështetja në instinktin e tij të pagabueshëm që ta bëjë kundërshtarin të gabojë. Zbatimi i ligjit ishte moslejimi i mbajtjes së zgjedhjeve të Serbisë në Kosovë, moslejimi i mbajtjes së një referendumi të Serbisë në Kosovë. Diçka që më parë ishte dukur e pamundshme. Kurti vetëm po shpaloste potencialin egzistues të Kosovës që egzistonte në letër, por nuk ishte përdorë kurrë, ndërsa ky e përdorte me shumë mjeshtëri. Zbatimi i ligjeve të Kosovës shkaktoi nervozë te Vucici, i cili nuk linte rast pa mohu egzistimin e “të ashtuqujturit shtet të Kosovës”. Dhe kjo e shtyu që të bëjë gabime të reja. Urdhëroi që katër kryetarët e komunave veriore të jepnin dorëheqje ashtu si edhe punonjësit e gjykatave dhe policët serbë. Edhe ky ishte një hap që Kurti e kishte parashiku me saktësi. Aj prap zbatoi ligjin. Organizoi zgjedhjet në komunat veriore dhe dërgoi policë shqiptarë e të pakicave të tjera në veri për të zëvendësuar policët serbë. Faktori ndërkombëtar nuk mund të kundërshtonte zbatimin e ligjit, të një shteti që ata vetë e kishin njohë dhe ia kishin shkru po ato ligje. Zgjedhjet u bojkotuan nga serbët, sipas urdhrave të Vucicit, dhe ky ishte vetëm edhe një gabim i radhës. Sepse Kurti me ato rezultate të pakta të zgjedhje, duke zbatu ligjin, zgjidhi katër kryetarë shqiptarë të komunave veriore. Vucici mbeti me gishta në gojë. E kuptoi se ky kishte qenë gabimi i dytë fatal: levën më të fortë që e pati në terren, kontrollin mbi veriun, ia dorëzoi Kurtit me duart e veta.  

FITORJA E TRETË DHE GABIMI I TRETË

Krejt kjo, në vend që ta bënte Vucicin të mendonte mirë lëvizjen e radhës, e bëri të gabonte edhe më shumë. Të bënte gabimin e tretë. Sidoqoftë, nga këtu, për mungesë faktesh, duhet edhe të spekulojmë. 

Duke qenë se Vucici nuk pranoi të nëshkruante Marrëveshjen e Ohrit dhe humbi kontrollin mbi veriun, hapësira manovruese në dialogun e Brukselit iu ngushtu tepër. E kuptoi se kishte mbështetë tepër te ndërmjetësit ndërkombëtarë dhe te naiviteti i mundshëm i Kurtit. Borrelli dhe Lajcaku nuk ia dolën ta ndihmonin. Bile ata nisën ta dëmtojnë duke u paraqitë haptazi në anën e Serbisë. Karta e vetme në dorën e Vucicit ishte kthimi i kontrollit të veriut. 

Në këtë pikë nuk duhet të harrohet këmbëngulja e Kurtit në peticionin e 20 përqindshit të nënshkrimeve të qytetarëve të katër komunave veriore për shkarkimin e katër kryetarëve egzistues dhe mohimi i këtij peticioni nga ndërmjetësit dhe Vucici. Nënshkrimi nga qytetarët do të ishte fillimi i pranimit të shtetit të Kosovës me një dokument ku kjo do të shihej qartë. Pas kësaj gjithçka do të duhej me shku sipas çdo germe të ligjeve të Republikës së Kosovës, që ishte gati inegzistent në veri. Kurti nuk u dorëzu, megjithëse presioni u bë i tmerrshëm. Takimi i fundit në Bruksel, në të cilin Borrelli dhe Lajcaku paraqitën një plan zbatimi të Vucicit në tavolinë u mohu nga Kurti me vendosmëri. Lajcaku u zu duke gënjy, për një plan serb të cilin edhe kur e gjeti dhe e dorëzoi, ishte një plan i vjetër. 

«VIJA E GJELBËR» QIPRIOTE SI ËNDËRR

E vetmja zgjidhje nga kjo situatë pa shtegdalje për Vucicin ishte me zbatu planin rezerv, të përgatitur muaj me radhë, për kthimin e kontrollit mbi katër komunat veriore, që i kishte humbë për shkak të mendjelehtësisë së tij prej loloje. Kjo nuk mund të realizohej në asnjë mënyrë tjetër pos me një organizim të armatosur, me synimin e qartë që ndërrohet gjendja në terren. Ky plan është planifiku deri në imtësitë më të vogla në shtabin kryesor ushtarak të Serbisë. Ndërtesat e kishave dhe të manastireve do të shërbenin si qendra tepër të nevojshme logjistike, për komunikim, strehim dhe furnizim. Dhe kjo nuk është që ndodh për herë të parë. Kishat dhe manastiret serbe kanë shërby për këtë edhe gjatë rezistencës dhe luftave kundër Perandorisë Otomane. Synimi përfundimtar ka qenë që ushtarakisht të merreshin katër komunat e veriut dhe të vendosej një vijë e gjelbër ndarëse, si ajo në Qipro, ku do të ndaheshin qartazi serbët nga shqiptarët. Në këtë lojë, natyrisht, ka edhe elemente të qarqeve ndërkombëtare që jo vetëm e kanë dijtur, por edhe e kanë përkrahë këtë plan në thelb antishqiptar, duke e pa si një zgjidhje të pranueshme.

Por, në vend që të ishte suksesi i parë i Vucicit, që nga ballafaqimi i parë me Kurtin, ky u bë gabimi i tretë i tij. Por, ky nuk është një humbje e tij vetëm në Kosovë. Ky do të jetë fillimi i fundit të karrierës së Vucicit si politikan. Karta më e fortë politike me të cilën Vucici ka manipulu dhe ka mbetë në pushtet gjatë gjithë kësaj kohe ka qenë Kosova. Humbja e Kosovës është humbja më e rëndë politike e tij dhe shtylla mbi të cilën mbahet pushteti i tij klerofashit. Kjo i shkon mirë historisë mitike serbe për humbjet e mëdha ngadhnjimtare. Natyrisht, sikurse princi Lazar, Vucici vërtet do ta humbë karrierën e tij tokësore, por do ta fitojë, gjithsesi, karrierën e tij qiellore. Nëse ka të tillë. 

Ky gabim i tretë i Vucicit do të mund të ishte fitore spektakolare, nëse nuk do t’i dilte në udhë një polic shqiptar me emrin Afrim Bunjaku. U desh të derdhej gjaku i tij, që të ndriçonte planin kriminal që Serbia e Vucicit po ia përgatiste Kosovës. Flijimi i Afrim Bunjakut rujti jo vetëm territorin e Kosovës, por shpëtoi me qinda e ndoshta me mija jetë njerëzish, shqiptarë e serbë, që do të mund të pësonin nga një konflikt përmasash të gjëra që ishte planifiku në shtabet klerofashiste të Serbisë.

(25/26 shtator 2023)

By Editor

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *