Babai i miliarderit Elon Musk, Errol Musk, ka deklaruar se Jeffrey Epstein, i dënuar për krime seksuale, mund të jetë ende gjallë, duke e quajtur “absurd” idenë se ai ka vdekur në burg.
79-vjeçari i bëri këto deklarata gjatë një interviste në televizionin shtetëror rus, të kontrolluar nga presidenti Vladimir Putin, ku përsëriti teori konspirative rreth vdekjes së Epstein.
Jeffrey Epstein u gjet i vdekur në qelinë e tij më 10 gusht 2019, ndërsa priste gjykimin për akuza të lidhura me trafikim seksual, një ngjarje që ka nxitur shumë spekulime dhe teori konspirative.
Autoritetet amerikane e kanë klasifikuar zyrtarisht vdekjen si vetëvrasje, por dyshimet dhe diskutimet publike rreth rastit kanë vijuar edhe pas disa vitesh.
“Nga këndvështrimi im, është absurde të mendosh se ai ka vdekur. Është qesharake”, u shpreh Musk.
Deklarata e tij shkaktoi reagime në studio, por ai vijoi më tej duke thënë:
“Rojet e burgut kanë deklaruar se ai u zëvendësua një natë para se të ndodhte vetëvrasja e supozuar. Kamerat nuk kanë funksionuar në momentin e duhur dhe rojet kanë fjetur.”
“Është krejtësisht e pabesueshme të mendosh se ai ka vdekur. Ai është gjallë”, shtoi ai.
Errol Musk ndodhet aktualisht në Rusi për një vizitë. Ai ka deklaruar më herët se familja Musk ka “njëfarë admirimi për Vladimir Putinin”.
Gjatë fundjavës, ai u pa në Moskë në një shërbesë të Pashkëve Ortodokse, ku mori pjesë edhe presidenti rus Vladimir Putin.
Putin mori pjesë në shërbesën në Katedralen e Krishtit Shpëtimtar pranë Kremlinit, një traditë që ai e ndjek çdo vit për Pashkë. Kjo ndodhi pak pasi ai kishte shpallur një armëpushim 32-orësh në Ukrainë, i cili më pas u shkel në terren.
Sipas autoriteteve ukrainase, forcat ruse kryen qindra shkelje të armëpushimit gjatë kësaj periudhe.
Në një mesazh për Pashkë, Putin tha se festa “mbush zemrat e njerëzve me gëzim dhe besim në fitoren e jetës, dashurisë dhe drejtësisë”.
Ndërkohë, pavarësisht armëpushimit të shpallur, u raportuan sulme të reja me dronë ndaj pozicioneve ukrainase.
Errol Musk, i cili po zhvillon një vizitë dyjavore në Rusi, sipas mediave ruse po bashkëpunon në projekte kërkimore me shkencëtarë vendas. Ai është shfaqur më parë edhe me deklarata pro-Putin dhe kritike ndaj djalit të tij, Elon Musk, për marrëdhëniet me Donald Trump.
Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky tha se Ukraina do ta respektonte armëpushimin nëse edhe pala tjetër do ta zbatonte, por paralajmëroi reagim të menjëhershëm në rast shkeljesh.
Burimi: Daily Mail

