Nga Ermal Mulosmani

Sipas Testamentit të Ri, apostulli është një njeri që i është dhënë detyra të jetë “i dërguari i drejtpërdrejtë i Jezu Krishtit” për të përhapur lajmin e mirë në botë.

Këtë mision mesianik Bato e ka bërë me shumë dëshirë. Jo vetëm si përfitues i ndonjë bonusi material, por së pari e para së gjithash për kënaqësi shpirtërore. Ai beson se fati që i ra Shqipërisë me Edi Ramën është, në miniaturë, pak a shumë si fati që u ra hebrenjve me Jezu Krishtin. Dhe frika e tij më e madhe është se, ashtu si hebrenjtë, edhe ne po e vrasim Jezusin tonë. Se do të mbesim pengje të moskuptimit…

Ky fat nuk të vjen çdo 50 vjet në derë. Ndaj nuk bën ta lëmë. Meqenëse vetë Bato ka pasur probleme me fjalorin jashtëzakonisht të varfër, ku spikasin fjalët legjendare “Dorën n’zemër” dhe “Cili asht rrëfimi yt”, Bato mahnitej gjithnjë nga cilësia e retorikës së shefit të tij, nga sharmi intelektual dhe shija estetike. Filloi për ca kohë të vinte një shall në qafë si tregues i evoluimit, por megjithatë i mbeti varfëria e fjalorit si tregues i kufizimeve të forta në formim.

Bato mendon se Rama akoma nuk e ka përfunduar misionin. Është bash në fazën finale të implementimit. Vërtet, e ka futur me forcë “autoritetin e shijes” në një vend pa shije, e ka ngritur dinjitetin e Shqipërisë në nivele të paqena kurrë më parë, por ka edhe disa gjëra të fundit për të bërë.

Bato mendon se sigurisht ka edhe probleme të vogla. Ka njëfarë bezdie kur i përmenden arroganca qeverisëse, klientelizmi i shtetit, sistemi kapilar i blerjes së votës, korrupsioni galopant, varfëria, betonizimi dhe bashkëveprimi me krimin e organizuar. Duket sikur këto janë dëme kolaterale që duhen paguar për të pasur një qeverisje “siç është ajo e Edi Ramës”. Bato jo vetëm e thotë si arsye për ta mbrojtur Ramën, por edhe e beson këtë. Madje, në mirëbesim, nuk do të ishte çudi që ndonjërin edhe ta porosiste: “Mo more burrë, a e di çka je ka i bo vendit me kët retorikë?”. Për Baton këto janë çikërrima të vegjëlisë. Edhe mund të jenë, por duhet duruar edhe pakkkk. Sa ta mbarojë misionin Jezusi ynë.

Dje, rastësisht, pashë një debat mes gazetarit Osman Stafa dhe Batos sonë në Opinion.

Ja si u zhvillua pak a shumë debati:

Stafa: “Kur sojit tënd dhe atyre si ty u bie sëmundja e kancerit, marrin avionin, marrin lekë nga shteti dhe ikin jashtë. Siç e bëri ish-zëvendësministrja e Shëndetësisë apo Presidenti i Republikës; shkoi në Gjermani. Soji juaj merr avionin. Unë po flas për shqiptarët.”

Bato: “Çfarë ke bo në jetën tande ti?”

Stafa: “Në jetën time unë kam punuar që 14 vjeç në Greqi, në bujqësi, duke mbledhur kunguj për të paguar shkollën time; kam punuar në Palasë duke bërë llaç në moshën 14-vjeçare dhe kam 5 vjet që rri te Spitali Onkologjik, sepse është një nga njollat më të zeza që mund t’i ndodhë një shteti. Ti çon tigrat (anijet e energjisë së Belës) aty në Vlorë dhe sot e kësaj dite nuk marrim energji, por paguajmë lekë; kemi inceneratorët që nuk ekzistojnë, ndërkohë që pacientët që vuajnë nga kanceri janë pa ilaçe, sot për sot. Ka pasur dinjitet ky shtet? Ku i ka çuar paratë e veta ky shtet? Se i çon te rrugët që shemben për dy muaj. Inaugurohet Qukës–Qafë Plloçë dhe për dy muaj shembet. Unë të kam dëgjuar që fëmijë i vogël dhe ajo çfarë ti thua në ekran është mashtrim i madh dhe ti i ke bërë një dëm të madh; je nga ata që je përgjegjës për situatën politike në Shqipëri.”

Mendova se Bato do të zbythej, do të tregonte respekt për vështirësinë e jetës së gazetarit, për jetën e vështirë të këtij vendi. Gabova rëndë. I tmerruar nga realiteti i zymtë, si ai prindi që i bërtet fëmijës pse tregoi papastërtitë e shtëpisë, Bato u lëshua mbi prenë:

Bato: “Kur flet për fajësi, ti as nuk e din se kush jam unë. Dhe ti, edhe 200 jetë me i pasë, se mu drejtove personalisht, as afërsisht nuk mundesh me ndërtu dhe me kontribu për kit vend dhe për at tjetrin sa unë kam kontribu. Ti as e din se çfarë kam ndërtu unë. Po çfarë të duhet ty? Ti s’je kurrgjo. Njerëzit që hyjnë në histori dhe në CV, një ditë kanë me e shkru atë, nuk ka problem.”

Çfarë paturpësie, çfarë arrogance! Kujt i plasi se çfarë ka bërë Batoni për shpëtimin e Kosovës apo Shqipërisë underground? Apo se çfarë do të shkruajnë librat e historisë për kontributin e paçmueshëm të tij për çështjen kombëtare? Të mbushet mendja se ky është njëfarë Wilsoni a Klintoni që, në ditët e zeza të kombit, u gjend aty për ta shpëtuar. Ky deliri për prani në librat e historisë, në statujat e së ardhmes, është një arrogancë e skajshme. Sepse është arrogancë sejmeni.

Baton, protestat nuk janë nisur nga flamingot, as nga Fredi Abraham për inat të Donald Trump. Nuk është pelikani kaçurrel, por pehlivani në Surrel.

Protestat janë kundër arrogancës së qeverisjes, klientelizmit të skajshëm, dëmtimit të tmerrshëm të mjedisit, nga Tirana në çdo cep të bregdetit; kundër betonizimit, mungesës totale të hapësirave publike, pafuqisë për të ndikuar në qeverisje, por edhe kundër teje, Baton. Kur të fillosh të besosh se këto janë arsye, mund të fillojë të të dëgjojë publiku. Përndryshe do të të dëgjojnë vetëm sivëllezërit e tu.

Bashkë me Ramën duhet të bjerë edhe modeli mediatik me në qendër Batonin. Nuk është asgjë më shumë se kryeshërbëtori më i bindur i një kryearroganti. Që, përveç kopjimit majmunëror të stilit, i ka kopjuar edhe arrogancën.

By Editor

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *