Gjykata Themelore në Prishtinë ka shpallur fajtorë dhe ka dënuar me burgim të përjetshëm Naim Murselin dhe Granit Plavën për vrasjen e Liridona Ademajt, ngjarje e ndodhur në nëntor të vitit 2023. Ndërkohë, Kushtrim Kokalla është dënuar me 30 vite burg.

Gjatë procesit gjyqësor, prokurorja Javorka Përlinçeviq kishte kërkuar burgim të përjetshëm për të tre të akuzuarit, duke argumentuar se krimi ishte i mirëplanifikuar. Të njëjtin qëndrim e kishin mbështetur edhe familjarët e viktimës, përfshirë vëllain e saj, Leonard Ademaj, si dhe avokatin Leutrim Syla.

Nga ana tjetër, mbrojtja e të akuzuarve kishte kërkuar një vendim të bazuar në prova dhe në parimin e drejtësisë.

Ngjarja e rëndë ndodhi më 29 nëntor 2023 në fshatin Bërnicë, ku Liridona Ademaj u qëllua për vdekje teksa ndodhej në makinë me bashkëshortin e saj dhe dy fëmijët e tyre.

Sipas aktakuzës, Murseli kishte organizuar vrasjen për përfitime financiare nga një sigurim jete në Suedi, me vlerë rreth 260 mijë euro. Po sipas Prokurorisë, Kokalla kishte ndërmjetësuar kontaktin mes tij dhe Plavës, i cili konsiderohet autori i drejtpërdrejtë i krimit, i kryer kundrejt një pagese të premtuar prej 30 mijë eurosh.

By Editor

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *