Përfaqësuesja e Lartë e Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Kaja Kallas, deklaroi se procesi i dialogut mes Kosovës dhe Serbisë vazhdon të mbetet i bllokuar për shkak të zhvillimeve politike dhe zgjedhjeve të reja në Kosovë.
Ajo bëri të ditur se kishte gatishmëri si nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ashtu edhe nga presidenti serb, Aleksandar Vučić, për një takim në kuadër të dialogut të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian, por procesi u shty sërish.
Sipas Kallasit, ciklet e shpeshta zgjedhore në Kosovë kanë ndikuar drejtpërdrejt në mosmbajtjen e një raundi të ri bisedimesh në nivel liderësh, ndërsa ajo theksoi se po punon veçmas me të dyja palët për zbatimin e marrëveshjeve ekzistuese.
Takimi i fundit mes udhëheqësve të Kosovës dhe Serbisë në kuadër të dialogut ishte mbajtur në shtator të vitit 2023, ndërsa prej atëherë nuk është zhvilluar asnjë takim tjetër në nivel të lartë.
