Hysri Selimi është dënuar me gjashtë vjet burg nga Gjykata Themelore në Prishtinë, pasi u shpall fajtor për veprën penale të spiunazhit.

Sipas aktgjykimit, dënimi do të ekzekutohet pas marrjes së formës së prerë të vendimit. Selimi ishte dënuar më herët edhe për pjesëmarrje në organizatën terroriste ISIS.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, Selimi ishte rekrutuar nga Agjencia e Inteligjencës dhe Sigurisë së Serbisë (BIA) dhe, nga viti 2009 deri në arrestimin e tij në maj të vitit 2025, kishte mbledhur dhe përcjellë informacione që lidhen me ish-pjesëtarë të UÇK-së, krimet e luftës, personat e radikalizuar dhe pjesëmarrjen e shqiptarëve në luftën në Siri.

Sipas dosjes hetimore, ai kishte udhëtuar në Siri në vitin 2015, ku iu bashkua ISIS-it, dhe më pas raportonte te zyrtarët e BIA-s për numrin, organizimin dhe aktivitetin e shqiptarëve në radhët e organizatës terroriste.

Pas kthimit në Kosovë dhe vuajtjes së dënimit për terrorizëm, Selimi dyshohet se kishte vazhduar kontaktet me zyrtarë të BIA-s në Serbi, duke u dhënë informacione mbi grupet e radikalizuara, rrymat vehabiste dhe aktivitetet e tyre në Kosovë.

Sipas aktakuzës, për këto informacione ai përfitonte pagesa deri në 700 euro në muaj, si dhe pajisej me telefona celularë për të komunikuar me shërbimin sekret serb.

By Editor

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *