Një ngjarje tragjike ka tronditur mëngjesin e sotëm qytetin e Maliqit, ku gjatë një operacioni policor për kapjen e një personi në kërkim është vrarë efektivi Enea Mekolli dhe është plagosur rëndë një tjetër, Edison Adri.

Operacioni nisi rreth orës 07:30, kur shërbimet e policisë rrethuan zonën malore të njësisë administrative Lozhan, ku dyshohej se fshihej i kërkuari Violand Braçellari, 43 vjeç. Pasi thirrjet për t’u dorëzuar mbetën pa përgjigje, Braçellari hapi zjarr ndaj efektivëve. Në shkëmbimin e zjarrit që pasoi, polici Enea Mekolli humbi jetën, ndërsa Braçellari u plagos dhe u arrestua në vendngjarje.

Braçellari kishte precedentë të rëndë penalë. Në vitin 2017, ai u dënua me gati 10 vjet burg për prodhim dhe shitje të narkotikëve, ndërsa në vitin 2011 i ishte caktuar masa e sigurisë “arrest në burg” për kultivim të bimëve narkotike.

Efektivi i plagosur, Edison Adri, është nisur me helikopter drejt Tiranës për shkak të gjendjes së rëndë shëndetësore.

Kryeministri Edi Rama ka reaguar menjëherë, duke e shpallur policin e vrarë “Dëshmor të Atdheut”, duke shprehur ngushëllime për familjen e tij dhe duke kërkuar dënimin maksimal për autorin.

By Editor

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *