Një hetim i nisur nga prokuroria e Milanos ka zbuluar se të paktën 70 futbollistë dyshohet se kanë marrë pjesë në festa të organizuara nga agjencia “Ma. De. Milano”, me seli në Cinisello Balsamo. Sipas ANSA-s, në mesin e pjesëmarrësve përmenden lojtarë nga disa klube të Serie A, por asnjë prej tyre nuk është nën hetim, pasi konsiderohen klientë dhe nuk kanë kryer vepër penale. Hetimi po drejtohet nga zëvendësprokurorja Bruna Albertini.
Pronarët e agjencisë, Emanuele Buttini dhe Deborah Ronchi, së bashku me bashkëpunëtorët Alessio Salamone dhe Luan Fraga, janë vendosur në arrest shtëpiak. Sipas hetimeve, ata organizonin mbrëmje luksoze për klientë të pasur, përfshirë biznesmenë dhe VIP-a, të cilat nisnin me darka dhe vazhdonin në klube nate si Just Cavalli apo në hotele prestigjioze si ME Milan Il Duca. Përgjimet sugjerojnë edhe përfshirjen e eskortave dhe përdorimin e substancave psikoaktive gjatë këtyre eventeve.
Sipas dëshmive, vajzat që punonin për agjencinë paguheshin në mënyrë indirekte nga organizatorët, të cilët mbanin rreth 50% të fitimeve. Ato shpesh angazhoheshin si shoqëruese tavoline apo hostess. Dokumentet e hetimit tregojnë për situata problematike gjatë këtyre festave, duke ngritur dyshime për shfrytëzim dhe organizim të aktivitetit të paligjshëm në shkallë të gjerë.
