Çmimi i naftës është ulur sot edhe me 2 lekë për litër, duke zbritur në 185 lekë.
Bordi i Transparencës njoftoi se, në datën 29 maj 2026, në mbledhjen e radhës vendosi:
- Çmimi i shitjes me pakicë i nënproduktit gazoil, sipas standardit SSH EN 590, të jetë jo më shumë se 185 lekë/litër, ndërsa i shitjes me shumicë jo më shumë se 173 lekë/litër.
- Çmimi i shitjes me pakicë i nënproduktit benzinë, sipas standardit SSH EN, të jetë jo më shumë se 173 lekë/litër, ndërsa i shitjes me shumicë jo më shumë se 161 lekë/litër.
- Çmimet e caktuara nga Bordi do të hyjnë në fuqi sot, më 29 maj, në orën 13:00, dhe do të jenë të vlefshme deri në mbledhjen e ardhshme të Bordit, ku do të pasqyrohen ndryshimet e çmimeve të shitjes.
- Tërheqim vëmendjen e çdo operatori të shitjes me shumicë dhe pakicë të nënprodukteve të naftës mbi detyrimin për zbatimin e këtij vendimi.
- Në rast të shkeljeve të konstatuara nga operatorë të ndryshëm, do të vendoset pezullimi i aktivitetit.
- Ministria e Ekonomisë dhe Inovacionit, së bashku me Ministrinë e Financave dhe Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë, janë angazhuar të mbrojnë interesat e konsumatorëve shqiptarë dhe ruajtjen e parimeve të konkurrencës së ndershme në treg.
Sqarim
Referuar Aktit Normativ nr. 1, datë 3.4.2026, “Për një shtesë në ligjin nr. 61/2012, ‘Për akcizat në Republikën e Shqipërisë’”, të ndryshuar, është parashikuar se, në rast se çmimi i shitjes me pakicë për gazoilin është më i lartë se 220 lekë/litër, apo për benzinën më i lartë se 200 lekë/litër, zbatohet niveli 80% i akcizës.
Bazuar në zbatimin e metodologjisë për llogaritjen e çmimeve tavan të shitjes me pakicë, çmimet janë nën kufirin e përcaktuar në Aktin Normativ nr. 1, datë 3.4.2026, dhe për rrjedhojë niveli i akcizës do të zbatohet i plotë, pra 100%.
Gazoili për peshkim
Çmimi i shitjes së gazoilit për peshkim, referuar Ligjit nr. 9975, datë 28.07.2008, “Për taksat kombëtare”, në nenin 9, “Përjashtimet nga pagimi i taksave kombëtare”, pika 6, parashikon:
“Përjashtohen nga pagimi i taksës së qarkullimit dhe taksës së karbonit anijet e peshkimit.”
Gjithashtu, referuar nenit 10, pika 3, germa “d”, të Ligjit nr. 61/2012 “Për akcizat në RSH”, parashikohet përjashtimi nga detyrimet e akcizës i karburantit për anijet e peshkimit, në sasitë, kushtet dhe kriteret e përcaktuara në VKM.
Referuar metodologjisë së përcaktuar në aktin normativ, çmimi i shitjes së gazoilit për peshkim rezulton 90 lekë/litër.
Burimi: Monitor.al
