Tensionet mes kancelarit gjerman Friedrich Merz dhe presidentit amerikan Donald Trump duket se janë përshkallëzuar, ndërsa Shtetet e Bashkuara të Amerikës po shqyrtojnë reduktimin e pranisë ushtarake në Gjermani.
Sipas raportimit të Deutsche Welle, Trump deklaroi në platformën e tij Truth Social se një vendim për trupat amerikane në Gjermani mund të merret “së shpejti”. Reagimi vjen pasi Merz kritikoi ofensivën amerikane ndaj Iranit dhe akuzoi Uashingtonin se ka hyrë në konflikt pa një strategji të qartë daljeje.
Trump reagoi ashpër ndaj kancelarit gjerman, duke deklaruar se ai “nuk ka asnjë ide se për çfarë po flet” dhe duke kritikuar edhe gjendjen ekonomike të Gjermanisë.
Sipas të dhënave të ushtrisë amerikane, aktualisht në Evropë janë të dislokuar rreth 86 mijë ushtarë amerikanë, prej tyre afërsisht 39 mijë në Gjermani.
Megjithatë, Friedrich Merz u përpoq të ulë tensionet, duke deklaruar se marrëdhënia personale me Trump “mbetet e mirë dhe e pandryshuar”.
Kjo nuk është hera e parë që Donald Trump kërcënon me tërheqje trupash nga Gjermania. Edhe gjatë mandatit të tij të parë ai kishte propozuar largimin e mijëra ushtarëve amerikanë, duke akuzuar Berlinin për shpenzime të pamjaftueshme në mbrojtje.

