Një incident i rëndë është shënuar gjatë protestës kundër ndërtimit të resortit luksoz në Zvërnec, ku sipas Lëvizjes Bashkë, persona të veshur me të zeza kanë rrëmbyer dhe dhunuar një qytetar të zonës.

Kreu i Lëvizjes Bashkë, Arlind Qori, publikoi pamje video nga ngjarja dhe akuzoi policinë private që ruan kantierin se ka ushtruar dhunë ndaj protestuesve. Sipas tij, Policia e Shtetit ka qëndruar pasive dhe nuk ka ndërhyrë për të ndaluar incidentin.

“Kjo është skandaloze. Nuk ka ndodhur kurrë që gangsterët të rrëmbejnë një person dhe policia të mos bëjë asgjë. Jemi të revoltuar. Kërkojmë lirimin menjëherë. Gangsterë të veshur me të zeza, polici private kanë rrëmbyer një qytetar të Zvërnecit dhe policia nuk e vendos ujin në zjarr, po mbron gangsterët nga qytetarët”, deklaroi Qori.

Protesta u zhvillua në hyrje të kantierit të punimeve në Zvërnec, ku banorë të zonës dhe aktivistë kundërshtojnë ndërtimin e resortit në plazhin e Pishë-Poros në Nartë. Ata e konsiderojnë projektin një uzurpim të hapësirës publike dhe një kërcënim për mjedisin.

Debati është intensifikuar edhe pas publikimit të dokumenteve nga BIRN, sipas të cilave pas projektit turistik, i lidhur publikisht me Jared Kushner dhe Ivanka Trump, qëndron një rrjet kompanish dhe individësh të përfshirë në procedime penale dhe konflikte pronësie ende të pazgjidhura.

By Editor

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *