Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama ka vijuar replikat me organizatën Reporters Without Borders lidhur me vlerësimet për lirinë e medias në Shqipëri, duke pretenduar se realiteti mediatik në vend është i ndryshëm nga ai që pasqyrohet në raportet ndërkombëtare.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Rama publikoi disa të dhëna që, sipas tij, vijnë nga një start-up shqiptar i bazuar në inteligjencë artificiale, i cili ka analizuar mijëra artikuj në dhjetëra media gjatë një periudhe disa javore monitorimi.
Sipas të dhënave të cituara nga kryeministri, zëri i opozitës në media rezulton disa herë më i pranishëm se ai i qeverisë, ndërsa edhe përmendjet dhe citimet e opozitës në tituj dhe artikuj janë dukshëm më të larta.
Rama thekson se edhe burimet kritike ndaj qeverisë dominojnë në raportim, duke argumentuar se kjo bie ndesh me pretendimet për një mjedis mediatik të kontrolluar.
“Në një mjedis me media të kapura, këto nuk do të ekzistonin”, shkruan Rama, duke shtuar se dominimi i narrativave kritike dhe hapësira për opozitën tregojnë të kundërtën e akuzave.
Ai pranoi megjithatë se çështjet e pronësisë së mediave dhe kushtet e punës së gazetarëve mbeten problematika reale që duhen adresuar, por kundërshtoi vlerësimet që e paraqesin Shqipërinë si vend me media tërësisht të kontrolluara politikisht.

