Dalin detaje të reja që ngrenë pikëpyetje serioze mbi mënyrën e shpërndarjes së fondeve publike në sektorin e bujqësisë dhe blegtorisë. Sipas burimeve pranë familjarëve të Violand Bracellarit, autori i dyshuar i vrasjes së efektivit Enea Mokolli dhe plagosjes së një polici tjetër, ka përfituar subvencione nga AZHBR për ngritjen e stallave të bagëtive.
Ironikisht, pikërisht këto ambiente u shndërruan në skenën e përplasjes së armatosur me policinë, ku Bracellari, i kërkuar prej nëntë vitesh nga drejtësia, dyshohet se ishte fshehur para se të hapte zjarr me armë automatike ndaj forcave të rendit.
Burimet thonë se mbetet ende e paqartë nëse fondet janë përfituar në emrin e tij apo përmes familjarëve, por fakti që një person i konsideruar me rrezikshmëri të lartë shoqërore mund të ketë përfituar mbështetje financiare nga shteti ka ngritur dyshime të forta mbi filtrat dhe kontrollet e institucioneve përgjegjëse.
