Ish-presidenti i Malit të Zi, Milo Gjukanoviç, ka hapur për herë të parë prapaskenat e një prej skandaleve më të mëdha politike të rajonit në periudhën post-Jugosllavi, duke zbuluar se pas gjithë operacionit qëndronte Beogradi me një plan të mirëmenduar destabilizimi.

Në një intervistë për Televizionin E, Gjukanoviç pretendon se “afera S.Ç.” — e nisur në vitin 2002 nga dëshmia e një gruaje moldave për trafikim seksual dhe prostitucion në Mal të Zi — nuk ishte thjesht një çështje kriminale, por pjesë e një operacioni të orkestruar nga strukturat e afërta me ish-presidentin jugosllav Vojisllav Koshtunica dhe shërbimet ushtarake serbe, me qëllim pengimin e shkëputjes së Malit të Zi nga Serbia.

Por zbulimi më i fortë i intervistës lidhet me Kosovën. Sipas Gjukanoviçit, në të njëjtën periudhë po përgatitej edhe një operacion për komprometimin e KFOR-it, ku 27 vajza po trajnoheshin për të joshur zyrtarë të lartë ushtarakë të misionit ndërkombëtar.

“Synimi ishte komprometimi i KFOR-it në Kosovë dhe i drejtuesve të tij ushtarakë. Për këtë qëllim po përgatiteshin 27 vajza, të cilat duhej t’u afroheshin zyrtarëve të lartë. Mes tyre ishte edhe S.Ç., e cila po trajnohej në ambientet e stadiumit të Obiliçit. Fatmirësisht, KFOR-i dhe UNMIK-u siguruan informacionet në kohë dhe e penguan këtë aktivitet”, deklaroi Gjukanoviç.

Skandali i vitit 2002 kishte shkaktuar krizë të thellë politike në Mal të Zi, duke çuar në arrestimin e katër personave, mes tyre edhe zëvendësprokurorit të shtetit, Zoran Piperoviç. Gruaja moldave S.Ç. u largua më vonë nga vendi dhe vite më pas gjykatat malazeze e dënuan në mungesë për dëshmi të rreme.

By Editor

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *