Taulant Balla ka komentuar zhvillimet e protestës së fundit në Tiranë, duke pretenduar se qytetarët që dolën fillimisht për kauza të drejta janë distancuar tashmë nga organizatorët dhe aktet e dhunës.
Përmes një videoje të publikuar me pamje nga droni, Balla u shpreh se “qytetaria e bukur e bulevardit të flamingove” nuk është më pjesë e protestës, pasi, sipas tij, ajo është uzurpuar nga grupe dhe figura politike që nuk përfaqësojnë interesat e qytetarëve.
“Sot në protestë nuk është më qytetaria e bukur e bulevardit të flamingove. Ata u distancuan nga dhuna dhe nga uzurpatorët e protestës”, shkroi ai.
Balla ironizoi gjithashtu pjesëmarrjen në tubim, duke pretenduar se organizatorët dhe mbështetësit e tyre nuk arritën të grumbullonin aq njerëz sa për të siguruar një mandat parlamentar.
Ai shtoi se shqiptarët e diasporës e kanë shprehur qëndrimin e tyre përmes votës, ndërsa theksoi se tani duhet të nisë një dialog me qytetarët që, sipas tij, kishin arsye të ligjshme për të protestuar.
