Kur Vladimir Putini mbajti një fjalim në konferencë më 10 Shkurt 2007, audienca e mbledhur në sallën ku s’pipëtinte njeri mbeti pothuaj pa fjalë, njëlloj si berlinezët kur u zgjuan mëngjesin e asaj të diele fatthënëse të gushtit 1961 dhe panë që qyteti i tyre ishte ndarë mizorisht mëdysh. Fjalët e tij therëse rrihnin të sinjalizonin fundin e periudhës së nënshtrimit dhe respektit të ushqyer nga Rusia post komuniste ndaj fuqive perëndimore. Ai po i informonte dëgjuesit e vetëkënaqur pa shkak se, ndërkohë që fliste, mes Lindjes dhe Perëndimit po ngrihej një barrikadë e re dhe synimet nuk qenë aspak miqësore. Ulur përbri njëri-tjetrit në radhë të parë, mjaft afër podiumit për komfort, kancelarja Angel Merkel u duk e turbulluar, drejtori i CIA-s Robert Gates i sikletosur dhe senatori John McCain i mllefosur.

Fjalimi luftarak i Putinit ishte si një deklaratë lufte. Një mësymje e ashpër ndaj arkitekturës globale të sigurisë të ndërtuar nga fuqitë perëndimore. Fjala ishte e mbushur pasazhe thumbuese sarkastike që synonin shkeljen e normave të sjelljes informale; ajo u drejtohej vendeve jo perëndimore që lypnin ndere prej qeverive të perëndimit lidhur me mënyrën sesi do të silleshin në një shoqëri të njerëzishme. Ai i akuzoi Shtete e Bashkuara për “destabilizim global” dhe “përbuzje flagrante ndaj të drejtës ndërkombëtare”. Përpjekja e Amerikës për të qenë “e vetmja qendër autoriteti, e vetmja qendër fuqie, e vetmja qendër vendimmarrjeje” në botë duke iu diktuar vendeve të tjera mënyrën e sjelljes kishte dështuar në mënyrë skandaloze. Amerikanët i përligjin “ndërhyrjet në punët e brendshme të vendeve të tjera” duke evokuar dëshirën e botës mbarë për të imituar sistemin e tyre politik dhe ekonomik. Ndërkohë që i mbajnë leksione botës për të drejtat e njeriut, demokracinë dhe vlerat e tjera sipërore, udhëheqësit perëndimorë ndjekin interesa egoiste gjeopolitike të vendeve të tyre.

Çka bëri përshtypje në fjalimin e Putinit nuk qe riciklimi i ankesave standarde të Kremlinit se në ç’mënyrë të padenjë ishte trajtuar Rusia pas fundit të Luftës së Ftohtë. Ajo çka i befasoi kishte të bënte me mënyrën sesi presidenti rus e mbështolli veten me mantelin e profetit gjithpamës. Ideja që të mundurit kanë një ide më të qartë për paqen sesa fituesit nuk është diçka e re. Të mundurit duke pasur një kuptim më të saktë të rolit vendimtar të luajtur nga kontigjenca në histori, “kërkojnë faktorë afatmesëm ose afatgjatë për t’i marrë në konsideratë dhe ndoshta për të shpjeguar aksidentin e një rezultati të parashikuar”.

Ja pse fjalimi i Putinit në Munih në vitin 2007 shënon një kthesë vendimtare në politikën ndërkombëtare. Pikërisht në Mynih, Kremlini i detyroi fitimtarët mburracakë të vënë veshin e t’i dëgjojnë pas kaq kohësh humbësit e mençuruar nga hidhërimi. Pikërisht në Mynih Putini shpalli se Rusia nuk do të sillej si Gjermania Perëndimore pas 1945-ës, të pendohej për mëkatet dhe të lypte ta pranonin në klubin perëndimor ku do të edukohej për t’u sjellë siç duhej….

“Drita që u shua” nga Ivan Krastev, Stephen Holmes.
Përktheu: Ermal Mulosmani

By Editor

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *