Vlorë në 28 Nëntor 1912. – KUJTIME
“Në vitin 1912, kur plaku i Vlonës dul në Durrës e do të nisesh për në Vlonë me shpall indipendencën shqiptare, mora pjesë bashkë me kushërinin tim, Xhemal Deliallisi, si delegatë të nënprefekturës së Shijakut. Sot, ruj kujtimin e shtrejtë të asaj tube historike atdhetarësh qi përçau fushën e Myzeqes, e cila ato ditë kje e transformume në nji knetë të gjanë nga shiu i dendur.”
Ymer Deliallisi dhe nejrëzit e tij, jo vetëm u bënë dëshmitarë të ceremonisë historike të Vlorës, por ata më herët morën përsipër sigurimin e karvanit të Ismail Qemalit në rrugëtimin nga Durrësi drejt qytetit të pavarësisë. Këtë e pasqyron në kujtimet e tij nënshkruesi tjetër i aktit të pavarësisë, Ferit Vokopola:
“Më 21 nandor na lajmëronte Hamid bej Toptani me Servis Telegrafik nga Durrësi se Ismail beu arriti dhe janë marrë masat e duhura deri në Shkumbin në shoqërim të Z. Ymer bej Deliallisit me shokë..” (Revista Njeriu, “Ngritja e flamurit kombëtar” (Nr 5, 1942 fq 3-7)
Siç dihet Shijaku është një nga qytetet ku flamuri u ngrit para se të ngrihej në Vlorë. Porosia u dha që kudo të shpallej Pavarsia para se serbët te hynin ne Shijak.
“Nga Vlora-shkruan Ymer Deliallisi ne kujtimet e tij- i drejtova nji telegram parisë së Shijakut, qi të ngrinin Flamurin Kombtar.”
Ky telegram pasqyrohet në “Dokumentet historike”, të Lef Nosit,1924,Nr.4. fq 107. Teksti është ky:
“Durrsi, Tirana dhe Elbasani shpallën indipendencën. Ju në mos e paçi shpallë, shpalljeni sa ma parë dhe na lajmëroni. Për formalitetet e rastit pytni Durrësin, Tiranën dhe Elbasanin.”
Sa morën mesazhin, shijakasit reaguan me shpejtësi. Në drejtimin e parisë së qytetit dhe vëllait të tij, ushtarakut të shquar Masar Deliallisi, shpallën pavarsinë në Shijak.
Publikoi: Shefqet Deliallisi